Tensionet Poloni – Bjellorusi, Merkel i kërkon diçka Putinit në telefon

Prishtinë | 10 Nën 2021 | 12:57 | Nga Ekonomia Online

Pas tensioneve në kufirin mes Bjellorusisë e Polonisë, ku shumë emigrantë janë përleshur me forcat polake e janë ndaluar, Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Zëdhënësi i kancelares gjermane tha të mërkurën se Merkel i ka thënë presidentit rus përmes telefonit se instrumentalizimi i emigrantëve nga Bjellorusia është çnjerëzor dhe i papranueshëm dhe i kërkoi që t’i bëjë trysni qeverisë bjelloruse për këtë çështje.

Në anën tjetër, sipas Kremlinit, presidenti rus propozoi diskutime për problemet e krijuara përmes kontaktit të drejtpërdrejtë të shteteve anëtare të BE-së me Bjellorusinë.

Kremlini gjithashtu tha se Merkel e Putin u pajtuan që ta vazhdojnë diskutimin për këtë çështje, shkruan Independent, transmeton Gazeta Express.

Të mërkurën, Kremlini mohoi se qëndron prapa krizës në rritje, pasi Polonia e akuzoi Moskën se është organizatore e zhvillimeve në kufi me Bjellorusinë.

Eskalimi ndodhi pasi dy grupe emigrantësh e kaluan kufirin nga Bjellorusia në Poloni. Sidoqoftë, ato u ndaluan nga zyrtarët polakë, që i akuzuan forcat bjelloruse për të shtëna në ajër.

Zhvillimet e fundit vijnë në kohën më të tensionuar deri më tani, pas muajve me migrim masiv në kufijtë e Bjellorusisë me Poloninë, Lituaninë e më pak edhe me Letoninë. Këto tri shtete shtrihen në kufirin lindor të Bashkimit Evropian.

Të ngjashme