Tensionohen raportet ShBA-Kinë, agjentët amerikanë thyejnë dyert e konsullatës kineze

Prishtinë | 25 Kor 2020 | 09:28 | Nga Ekonomia Online

Agjentët amerikanë janë futur me forcë në konsullatën kineze në Houston disa orë pas skadimit të afatit 72-orësh që ishte vënë në Shtetet e Bashkuara për mbylljen e kësaj përfaqësie diplomatike.

Presideni amerikan, Donald Trump, të mërkurën dha urdhër për mbylljen e kësaj konsullate për shkak të dyshimeve për spiunazh dhe vjedhje të hulumtimeve mjekësore. Pekinit i ishte dhënë afat që konsullata të mbyllet më së largu deri të premten.

Të premten pasdite, disa orë pasi konsullata u mbyll zyrtarisht, një grup burrash që dukeshin se janë zyrtarë amerikanë, u panë duke e hapur me forcë portën e pasme të konsullatës, shkruan “Daily Mail”

Autoritetet kineze i kanë bërë thirrje Uashingtonit që ta kthejë prapa këtë vendim, duke thënë se mbyllja e zyrës diplomatike e shkatërron urën e miqësisë.

Si masë hakmarrëse, Kina tashmë ka urdhëruar që të mbyllet konsullata amerikane në qytetin Chengdu – gjithashtu në afat prej 72 orëve.

Të martën e kaluar, disa orë para publikimit të urdhrit për mbylljen e konsullatës kineze, punëtorët e saj u panë duke ndezur zjarr në oborrin e ndërtesës, duke nxitur reagimin e policisë dhe zjarrfikësve. Sidoqoftë, hyrja e zjarrfikësve nuk u lejua.

Disa zyrtarë amerikanë kanë thënë se kjo konsullatë është përdorur nga qeveria kineze për të vjedhur hulumtime të vlefshme mjekësore.

Marrëdhëniet mes dy fuqive botërore janë tensionuar kohëve të fundit për shkak të disa çështjeve, përfshirë tregtinë dhe akuzat për përhapjen e koronavirusit.

Të ngjashme