Tensionohet situata, Serbia i dërgon notë proteste Shqipërisë

Prishtinë | 07 Tet 2020 | 16:27 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ia ka dorëzuar një notë proteste ambasadorit të Shqipërisë në Serbi, Ilir Boçkës. Në shënim u shpreh protestë në lidhje me deklaratat e dhëna gjatë mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë më 2 tetor në Tiranë, raporton Gazeta Express.

Serbia shpreh indinjatë ndaj deklaratave të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për heqjen e kufirit me Kosovën.

“Deklarata të tilla, të cilat nënkuptojnë bashkimin e Shqipërisë dhe provincës serbe të Kosovës dhe Metohisë dhe krijimin e një Shqipërie të Madhe, janë një arsye e justifikueshme shqetësimi, si për Republikën e Serbisë ashtu edhe për vendet e tjera në rajon të angazhuara për ruajtjen e stabilitetit dhe intensifikimin e bashkëpunimit në rajon” thuhet në njoftimin e ministrisë serbe.

Lidhur me raportimet në lidhje me dorëzimin e një note proteste të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë te përfaqësuesit diplomatikë serbë në Shqipëri, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë njoftoi se i ngarkuari me punë i përkohshëm i ambasadës serbe në Tiranë ishte ftuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë më 6 tetor për t’ia dhënë një notë proteste, ndërsa sipas tyre ai refuzoi ta pranonte notën e protestës për shkak të “pikëpamjeve të papranueshme të shprehura në të”.

Ofendimet e ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj vetë kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama duket se ka shkaktuar një ngërc të madh diplomatik ndërmjet Tiranës dhe Beogradit zyrtar, pavarësisht se dy palët ishin nxitësit kryesorë të Shengenit Ballkanik.

Rama paraprakisht ka njoftuar se Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë e ka thirrur zyrtarisht ambasadorin serb në Tiranë për t’ia përcjellë një notë verbale, pas deklaratave të ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandar Vullin, i cili iu referua shqiptarëve me term fyes.

Kjo notë mësohet se ambasadorit i është dorëzuar nga ministri në detyrë, Gent Cakaj. Vetë kryeministri Rama ka thënë se Qeveria e tij “nuk do të tolerojë më asnjë ofendim nga përfaqësuesit e qeverisë serbe”.

Të ngjashme