Në orët e para të ditës së sotme ka ndodhur një tentim vrasje në Gjilan, ku një person ka therur me thikë dy të tjerë, pas një mosmarrëveshje që nisi në njërën nga kazinotë që veprojnë afër Karaçevës.
Njëri nga të lënduarit është dërguar në gjendje të rëndë në QKUK, teksa i dyshuari ndodhet akoma në arrati, raporton Sinjali.
Kështu kanë bërë me dije burimet nga Prokuroria dhe kanë njoftuar se konflikti kishte nisur në kazino e më pas kishte vazhduar në qytetin e Gjilanit.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari V.S., i kishte përcjellë viktimat, derisa ndaluan me veturën e tyre te pompa Alba Petrol dhe aty ua zuri pritën. Njëri prej tyre mbeti i lënduar rëndë dhe po trajtohet në QKU, kurse viktima tjetër ka pësuar lëndime të lehta.
Posa rasti është denoncuar në Polici, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për t’i bërë ekzaminimet e nevojshme, derisa ende nuk dihen motivet e mosmarrëveshjes që çuan në konflikt palët.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve për veprën penale “Vrasje në tentativë” dhe ndërmarrjen e veprimeve për arrestimin e të dyshuarit.