Një person është arrestuar pasi ka tentuar që të përfitojë para në emër të kryeministrit duke hapur një faqe në Facebook me emrin “Rilindje”.
Arjan Neli, 30-vjeç, lindur dhe banues në Lezhë ka postuar në emër të kryeministrit Edi Rama dy llogari bankare në këtë faqe dhe shumë shtetas kanë hedhur para në këto llogari.
Në një deklaratë për shtyp e zëvendësdrejtoreshës së përgjithshme të Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj, është bërë me dije se Policia e Shtetit, nëpërmjet strukturave të saj të specializuara kundër krimit kibernetik, në bashkëpunim me strukturat kundër krimit ekonomik dhe financiar gjatë ditës së sotme ka evidentuar dhe goditur një rast flagrant të përfitimit nëpërmjet solidaritetit mbarëpopullor për të ndihmuar familjet e prekura nga tërmeti.
“Në këto momente, në Lezhë, është arrestuar në flagrancë shtetasi Arjan Meli, 30 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë. Ky shtetas, nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka hapur një llogari me emrin ‘Rilindje’. Në këtë faqe, ky shtetas, ka postuar një status në emër të Kryeministrit, duke u bërë thirrje qytetarëve për solidarizim duke kontribuuar në vlera monetare në dy numra llogarie, të cilat ky shtetas i kishte publikuar në këtë status”, thuhet në njoftimin nga Hajnaj.
“Theksojmë faktin se numrat e llogarisë ishin llogari private të këtij shtetasi dhe se gjatë kësaj kohe të shkurtër qytetarë të ndryshëm kanë rënë pre e këtij mashtrimi duke bërë derdhje shumash të ndryshme”, thuhet më tej aty.
Më tej, në komunikatë thuhet se Policia e Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Inteligjencës Financiare dhe të sistemit bankar kanë marrë masa për bllokimin e kësaj llogarie.
“Policia e Shtetit dënon çdo fenomen abuzimi në këto momente kritike për të gjithë dhe ju informon se nëpërmjet strukturave të specializuara të saj, si dhe në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese është duke punuar intensivisht për kontrollin, monitorimin e vazhdueshëm të situatës, zbulimin dhe goditjen e çdo rasti të abuzimeve me këtë situatë të fatkeqësisë natyrore. Ashtu siç është bërë e ditur vazhdimisht nga strukturat shtetërore, i vetmi kanal unik shtetëror për ofrimin e donacioneve apo ndihmave është nëpërmjet portalit e-albania/dhuro”, thuhet në njoftim.
Policia e Shtetit, duke shprehur solidaritetin e plotë me të gjitha familjet e dëmtuara, mbetet e angazhuar maksimalisht, në misionin e saj në shërbim të qytetarëve. Për çdo denoncim apo sinjalizim të çfarëdolloj abuzimi apo shkeljeje të ligjit, telefononi në numrin 112.