Autori i vrasjes së oficerit të Krimeve në Lezhë, Aldi Rama është gjetur i vetëplagosur dhe në gjendje kritike për jetën.
21-vjeçari ishte fshehur në zonën e kënetës në “Lagunen Vain”, ndërsa policët i kanë bërë thirrje që të dorëzohej.
Aldi Rama nuk i është përgjigjur thirrjes së policisë për t’u dorëzuar, por është vetëplagosur me armën e tij. Aktualisht po transportohet nga forcat e Policisë për në spital, në gjendje kritike për jetën.
Në vendngjarje është sekuestruar arma e krimit dhe telefoni i tij celular.
Si ndodhi ngjarja?
Sipas informacioneve, vrasja e Saimir Hoxhës ka ndodhur në një postbllok të ngritur nga policia në Ishull Lezhë gjatë një aksioni antidrogë. Policia ka vënë re një makinë të dyshimtë dhe i ka kërkuar që të ndalonte.
Ndërsa oficeri Saimir Hoxha ka shkuar për ta pyetur e kërkuar dokumentacionin e nevojshëm, i riu ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar për vdekje.
Më pas autori është larguar me makinën, por rreth 3 minuta larg vendit të ngjarjes është gjetur mjeti i tij. Kjo ka krijuar dyshimet se autori është larguar në këmbë.
Policia e Lezhës ndihmuar nga forcat speciale RENEA, grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit shkuan në vendin e ngjarjes dhe punuan për kapjen e autorit.
Policia e Shtetit e ndihmuar edhe me helikopterë në ajër, ofroi 20 mijë euro shpërblim për çdo informacion të vlefshëm që do çojë në lokalizmin dhe kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së Saimir Hoxhës.
Kërkimet për arrestimin e autorit të vrasjes
“Në lidhje me ndjekjen, lokalizmin dhe kapjen e autorit të vrasjes së oficerit të Policisë, forca të shumta të Policisë së Shtetit, prej disa orësh ndjekjeje me helikopter dhe nga toka, kanë bërë të mundur lokalizimin e autorit të ngjarjes, i cili ishte fshehur në zonën e kënetës në “Lagunen Vain”.
Forcat e Policisë kanë krijuar perimetrin e sigurisë dhe i kanë bërë thirrje autorit që të dorëzohej, por autori i ngjarjes, shtetasi Aldi Rama nuk i është përgjigjur thirrjes së Policisë për t’u dorëzuar, por është vetëplagosur me armën e tij. Aktualisht po transportohet nga forcat e Policisë për në spital, në gjendje kritike për jetën. Në vendngjarje është sekuestruar arma e krimit dhe telefoni i tij celular”, sipas policisë.