Rreth 10 km larg qytetit të Ferizajt, i rrethuar me bjeshkë dhe male gjendet fshati Mirosalë. Ky fshat prej shekujsh ka jetuar me legjenda e mite. Historiku i tij është i vjetër po aq sa ai.
Këtë më së miri e dëshmojnë tri objektet e kultit këtu, të njohura si teqe, ku dy prej tyre gati i ka përpirë koha ndërsa njëri qëndron ende në këmbë.
Teqja dy shekullore e familjes Bytyqi ende pret vizitorë të rrallë, qoftë për kureshtje apo ndonjë hall.
“Këtu gjendet teqeja e familjes Bytyçi e cila është njëra ndër objektet e rëndësishme të trashëgimisë kulturore të trevës së Ferizajt. Kjo teqe është ndërtua qysh në gjysmën e dytë të shekullit të XIX. Është mbi 950 vjeçare dhe ruan relikte dhe gjëra të rëndësishme për ritet që i kanë praktiku sekti shiit, përkatësisht bektashian dhe dervishlerë që janë kryesisht të përhapur në pjesën perëndimore të Kosovës. Deri para disa dekadave, edhe këtu ka pas besimtarë të këtij riti, ka pas shumë familje që deklarojnë se kanë qenë besimtarë të ritit shiit. Vlen të theksohet që ky objekt në krahasim me dy teqetë e mëparshme, ky objekt e ka ruajt fizionominë e vet, pamjen thuajse origjinale falë kujdesit të familjes që është pronare e kësaj toke ky gjendet ky objekt kulti”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Ilir Bytyçi.
Përpos që kjo teqe është vizituar për t’i kryer ritet fetare të besimit bektashian, bestytni të shumta kanë qenë arsyet e tjera të cilat janë bërë shkak të vizitës.
“Këtu prej besimtarëve zakonisht kanë qenë gjinia femërore. Këto teqe janë frekuentua zakonisht në periudhën e pranverës, dy javë para dhe dy javë prapa Shëngjergjit. D.m.th. gjysma e muajit prill dhe gjysma e muajit maj, një periudhë më shumë se një muajshe ku vizitorët kanë qenë në mënyrë sporadike por edhe të organizuar. Këtu kryesisht kanë ardhur për çështje të fatit, për çështje të shëndetit, shembull njerëzit që kanë pasur dikë nga familja të sëmurë kanë ardhur për mu lutë për shëndetin e tij, dikush ka ardhë për mu lutë për fat, për mi sjell fat në jetë. Por edhe pjesa tjetër janë lutë edhe për fëmijë. Kryesisht femrat që kanë pasur probleme me mos lindjen e fëmijëve, për me pas një fëmijë, jon lut që të kenë, formë e besëtytnisë. Por edhe në anën tjetër jon lut që gjinia e fëmijës të jetë djalë, sepse praktika e shekullit XIX-XX, bota shqiptare ka qenë e prirur të jetë botë patriarkale, prandaj edhe kërkesat për meshkuj jon kanë praktikë e kohës”, shtoi më tej Ilir Bytyçi.
Qerpiqi e balta janë materialet me të cilat është ndërtuar kjo teqe, ndërsa drunjtë e saj janë të punuara vetëm me sharrë dhe turjelë, pa asnjë gozhdë, kjo edhe ka bërë që t’i rezistojë kohës. Kohës i kanë rezistuar edhe disa artefakte, të cilat me zili ruajnë historinë ndër vite. Disa nga to sot e kësaj dite ruajnë formën e tyre.
“Ndodhemi në pjesën e brendshme të teqes. Këtu kemi edhe pjesë nga veglat e rëndësishme ose artefakte që jon përdor nga shehu ose përfaqësuesi i kësaj teqeje. Këtu janë lloje të ndryshme të disa armëve që janë përdor në periudhën e sundimit osman. Këtu i kemi disa armë në forma të lakuara që na tregojnë për një metodë të punës që është aplikuar në vendet e orientit. Këtu është edhe një qekan që është përdorë dhe vazhdon të përdoret si eksponat i rëndësishëm i teqeve dhe objekteve të besimit bektashian ose dervishlerë”.
“Më pas kemi edhe elemente të ndryshme siç janë hastrat që janë përdorë kryesisht për dysheme. Po ashtu në këtë teqe gjendet edhe një kuti apo arkë që janë vendosë për çdo person që ka kry shërbesa fetare janë vendosë një shumë simbolike e pareve si një lloj shërbimi për mundësinë që ju ka ofrur për me krye shërbesën fetare si formë e besimit në të kaluarën. Kemi edhe gjurmë të qirinjve… Riti shiit e lejon edhe elemente të paganizmit prandaj është ndezur edhe një qiri si simbol i lutjes e paqes. Më pas kemi edhe një element tjetër të rëndësishëm. Janë praktikat me ujë. Këtu në këtë pjesë shpeshherë ndodhë që gjejmë shishe me ujë që njerëzit e përdorin, një lloj abdesi nëse mundemi me thanë.
Kjo teqe e Mirosalës së legjendave, është venë nën mbrojtje të përkohshme të Ministrisë së Kulturës.