Tërheqja e mercenarëve rus, goditje e madhe për Haftarin

Prishtinë | 26 Maj 2020 | 17:54 | Nga Ekonomia Online

Forcat e Qeverisë së Unitetit Kombëtar në Libi kanë njoftuar se po vazhdon evakuimi i mercenarëve të kompanisë ruse, Wagner, që po tërhiqen nga fushëbetejat në jug të Tripolit.

Tërheqja e mercenarëve rus është vlerësuar si një goditje tjetër ndaj forcave të gjeneralit Khalifa Haftar, pasi ato kanë pësuar humbje rresht në perëndim të Libisë.

Në faqen zyrtare të operacionit “Vullkani i Zemërimit” thuhet se avioni ushtarak Antonov 32, ka ateruar në aeroportin Bani Walid, rreth 180 kilometra larg Tripolit, për të vazhduar bartjen e mercenarëve rus që janë tërhequr pasi forcat e Qeverisë së Unitetit Kombëtar kanë avancuar në disa drejtime në jug të qytetit kryesor.

Sipas Al Jazeera, shtatë avionë ushtarakë janë ulur në aeroportin Bani Walid. Ata kanë sjellë sasi të caktuar të municionit dhe pajisjeve ushtarake, ndërsa kanë transportuar mercenarët e kompanisë Wagner. Në Bani Walid kanë arritur 1600 mercenarë rus, që kanë ikur nga Tripoli.

Aktivistët në rrjete sociale kanë publikuar video dhe fotografi të mercenarëve rus në aeroport dhe në qytet. Drejtuesit e qytetit kanë kërkuar që menjëherë mercenarët rus të largohen.

Salem Noir, kryetar i qytetit Bani Walid ka thënë për Al Jazeera se mercenarët rus dhe sirian të dielën kanë hyrë në aeroportin civil në Bani Walid me armë, tri sisteme të mbrojtjes ajrore, mjete të blinduara dhe luftarake. Disa prej forcave janë larguar përmes tri fluturimeve, ndërsa disa të tjera janë larguar përmes rrugëve tokësore. Në aeroport ende ka mercenarë rus dhe sirian që presin të evakuohen.

Gjenerali Haftar ka mbetur pa forcat e huaja që e përkrahin. Forcat e huaja vlerësohen më efikaset dhe më të përgatiturat në frontin e rëndësishëm në Libi.

Zëdhënësi i forcave të Haftarit, Ahmed Al-Mismari ka thënë se planet nuk i ndërtojnë për të zënë territore apo që të shtrijnë kontrollin përmes forcave të armatosura.

Al-Mismari ka mohuar që operacionet në jug të Tripolit janë ndërprerë. Ka thënë se nuk kanë tërhequr forca nga pozicionet, por se ato po rigrupohen dhe po ripozicionohen.

Të ngjashme