Një numër i policëve para dy javësh u urdhëruan të tërhiqen menjëherë larg objekteve komunale në veri të vendit, sipas një marrëveshje që parashihte shtensionimin e situatës brenda këtyre ditëve. Tash kur pritej të shihej mundësia e zvogëlimit të mëtejmë të prezencës policore atje, Policia nuk ka treguar nëse është bërë vlerësimi i radhës dhe nëse është marrë ndonjë vendim.
Brenda dy javësh pritej të shtensionohej situata në veri të Kosovës, në bazë të një marrëveshjeje të arritur më 10 korrik ndërmjet zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe emisarit të Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Kosova u pajtua që menjëherë t’i tërhiqte 25% të policëve në dhe përreth ndërtesave komunale në katër komunat veriore. Vendimi ishte marrë me t’u shpallur marrëveshja nga ana e Qeverisë dhe tërheqja e 1/4 së policëve nisi menjëherë.
Burime të express kishin bërë të ditur se ulja e mëtejme e numrit të policëve mund të ndodh pas 2 javësh nëse konstatohet se janë krijuar kushtet në bazë të vlerësimit të Policisë, KFOR-it dhe EULEX-it.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha në një takim me gazetarë të hënën se është në pritje të njoftimit të BE-së për heqjen e sanksioneve, pas marrëveshjes së arritur me emisarin Miroslav Lajçak në Bratisllavë dhe tërheqjes së 25% të forcave policore.
Marrëveshja e 10 korrikut, sipas BE-së, parasheh që Kosova do të bëjë rregullisht vlerësime të përbashkëta të sigurisë me EULEX-in dhe me KFOR-in sipas rastit, për të vlerësuar mundësinë e zvogëlimit të mëtejshëm të pranisë policore “duke mos ndërmarrë asnjë lëvizje që mund të përshkallëzojë situatën”.
“Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale”, thuhet në pikën e dytë të marrëveshjes, sipas Qeverisë.
Koordnimi, çka thanë KFOR-i dhe EULEX-i
Në pyetjen se a duhet që Policia t’i marrë vendimet e kësaj natyre në koordinim, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë tha se kjo çështje është “përgjegjësi e institucioneve në Kosovë”.
“Reduktimi i mundshëm prej 25% është përgjegjësi e institucioneve në Kosovë dhe bazohet në procesin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për deeskalimin dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet palëve”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
“Njësitë e KFOR-it janë plotësisht të pajisura dhe të gatshme për ta përballuar çdo situatë”, thuhet më tej në përgjigje.
Edhe nga EULEX-i i thanë expressit se vlerësimet duhet të jenë të përbashkëta.
“Sipas hapave të rënë dakord, Kosova duhet të kryejë rregullisht vlerësime të përbashkëta të sigurisë me EULEX-in dhe me KFOR-in sipas rastit, për të vlerësuar mundësinë e zvogëlimit të mëtejshëm të pranisë së policisë”, thuhet në përgjigjen e Misioni Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë.