Ndërsa valët sizmike kanë zënë e rrallohen, Shqipëria po nis të përballet me pasojat e vërteta të katastrofës natyrore, duke u përballur me tre probleme madhore, me çertifikimin e bilancit të dëmeve, me urgjencën e strehimit të përkoshëm dhe mbi të gjitha, me menaxhimin politik të krizës.
Së pari, Qeveria duhet të kërkojë ndihmë të specializuar çertifikuesish të dëmtimeve nga vendet perëndimore.
Pas zjarrfikësve që na ndihmuan aq shumë, nga Kosova, Greqia, Franca, Italia e Serbia, nevoja urgjente është për ekspertë që të vlerësojnë realisht cilat banesa duhen shembur dhe cilat duhen riparuar. Ata do të jenë hartuesit realë të bilancit të kësaj tragjedie, dhe vetëm mbi atë bazë, fillojnë të gjitha llogaritë.
Kjo nuk është një krizë humanitare që ka nevojë për makarona dhe oriz, por një krizë urbane dhe katastrofë njerëzore, që ka nevojë për një ristartim të jetës në shumë pjesë të vendit, duke ndryshuar gjithçka.
Tani e tutje asgjë nuk do jetë më si më parë, as politika, as ekonomia, por as jeta normale e secilit. Shenja që na dha Zoti, duhet të na ndryshojë jo vetëm të tashmen, por dhe të ardhmen.
Së dyti, qeveria duhet të vazhdojë sistemimin në vende të sigurta të banorëve që nuk hyjnë më në shtëpitë e tyre, për të shmangur kaosin social dhe përhapjen e panikut.
Në këtë pikë këmbëngul që qeveria duhet të shikojë mundësinë e blerjes me çmim të lirë të qindra apartamenteve në zonën e “Shkëmbit të Kavajës” që nuk janë prekur nga tërmeti dhe që mund të jenë një shfryrje e menjëhershme e krizës së strehimit.
Sipas të dhënave jo zyrtare, rreth 1 mijë apartamente në atë zonë janë në shitje, pa kërkesë blerje, dhe një thirrje për ofertë, për çdo pronar të atyre mijëra apartamenteve të papërdorura, si apartamente të dyta nga qytetarët, do të ishte jo vetëm zgjidhje e menjëhershme, por dhe një kapitalizim real i këtyre investimeve të vdekura, në këto kushte.
Nga ana tjetër, mbajtja e njerëzve në hotele, në bashkësi, duhet shkurtuar, pasi do të mbajë ndezur traumën e tërmetit. Apartamentet e veçuar janë zgjidhje më reale dhe më efiçente.
Së treti, që është dhe më e rëndësishme, është ana politike e krizës. Qeveria ka nevojë për një plan të mirëmenduar dhe të sigurtë për rindërtimin, ku të përfshihet dhe opozita, pasi procesi i rindërtimit duhet të jetë afatgjatë dhe i besueshëm.
Ftesa për dialog e Edi Ramës dhe kërkesa për një tryezë politike kombëtare në këtë drejtim, është përgjegjësi e qeverisë, ashtu siç është përgjegjësi e saj menaxhimni i krizës.
Por ndërsa qeveria duhet të jetë e përgjegjshme për zgjidhjen e krizës, kjo nuk do të thotë që opozita duhet të jetë doemos e papërgjegjshme.
Opozita zyrtare dhe kryetari i saj në të vërtetë po mbajnë qëndrim të përgjegjshëm dhe serioz. Por duket se ata po përballen me një përpjekje nga Sali Berisha, për të minuar përgjegjshmërinë.
Me një arsenal shpifjesh të qëllimshme, me një politikë të njohur të denigrimit personal të kundërshtarëve, me vetëdijen e ndyrë për të ngjallur mosbesim tek menaxhimi i krizës, me një arsenal shpifjesh që tentojnë të destabilizojnë situatën dhe të përhapin panik, dhe mbi të gjitha, me një fjalor të neveritshëm nekrofil, Sali Berisha dhe një bandë rrotull tij, janë sot ata që duhet të izolohen dhe të përballen me ligjin e gjendjes së jashtëzakonshme, para se të përballet ndonjë aktiviste patetike, apo një platformë e papërgjegjshme thashethemesh.
Sali Berisha po sillet si një hijenë që kërkon të ushqehet me trupat e të vdekurve nga tërmeti dhe me fatkeqësitë dhe lotët e banorëve të ngelur rrugës, me shpresën se hidhërimi dhe mbjellja e zisë, do t’i hapë atij rrugën për në pushtet.
11 vite më pare, kur i biri i tij varrosi të gjallë 26 qytetarë, për të mbushur xhepat, opozita e atëhershme u tregua e përgjegjshme së paku sa u varrosën viktimat, duke i qëndruar në krah qeverisë në tejkalimin e situatës dhe pastaj i bënë gjyqin politik historisë korruptive të tërmetit të Gërdecit, pasi gjyqin juridik e kishte në dorë Sali Berisha.
Sot Shqipëria nuk është hedhur në erë nga djali i Edi Ramës, por nga një fatkeqësi natyrore. I vetmi objekt shtetëror që është prishur dhe ka vrarë një oficer policie, është “Kavalishenca” që ka ndërtuar Bujar Nishani si ministër i Brendshëm më 2008.
Dhe për ironi të fatit ai ka vrarë aty një komisar policie të emëruar prej tij. Të tjerat janë ndërtesa të vjetra e të reja, ndërtime të papërgjegjshme dhe informale, të cilat i kemi dhuratë nga tranzicioni shqiptar, ku Sali Berisha është monumenti i kësaj papërgjegjshmërie.
Nekrofilia politike e tij meriton të përballet me ligjin, ndërsa opozita duhet të zgjedhë, të jetë bashkëpunuese dhe të japë idetë e saj racionale në këtë situatë, apo të shpresojë se pushteti vjen nga lotët dhe gjaku i qytetarëve të tmerruar nga tërmeti.
Ajo është e lirë të zgjedhë, por është një mëkat i madh, që të ndëshkosh veten për të mos u bërë pjesë e dashurisë për qytetarët shqiptarë në këto momente, por të zgjedhësh të jesh pjesë e vrerit dhe nekrofilisë.
Shqipëria do ta kalojë këtë katastrofë. Njerëzit do ta harrojnë një ditë këtë fatkeqësi, por shteti nuk duhet ta harrojë kurrë për të nxjerrë mësime dhe për të krijuar një sistem të hekurt disiplinor për kontrollin e territorit dhe ndërtimet.
Nëse këtë gjë opozita do t’ia lërë në dorë vetëm Edi Ramës, thjesht do ta bëjë hero të shqiptarëve të thjeshtë Edi Ramën, pasi është i dënuar t’ia dalë.
Nëse opozita do të bëhet pjesë e këtij misioni historik, ka shanse ta konkurrojë Edi Ramën dhe ekipin e tij me idetë e saj dhe mirësinë që duhet të rrezatojë para shqiptarëve të traumatizuar.
Vreri i Sali Berishës, nuk është vetëm vrer politik. Ai është dhe vrer njerëzor, vrer i një njeriu të lig, i një vrasësi, që rrugën drejt pushtetit e ka parë gjithmonë si rrugë mbi kufoma, është vreri i një plaku të ligështuar, që i duket se Zoti nuk i ka lënë më kohë të vijë në pushtet dhe e do me atë me çdo çmim, qoftë dhe duke u sjellë si hijenë mbi trupat e shqyer të shqiptarëve mes rrënojave.
Ky tërmet është mirë t’i japë fund tranzicionit shqiptar dhe modelit të Sali Berishës. Përpara familjarëve të fisit Lala, Ndreu, apo Cara, Shqipëria duhet të varrosë kufomën politike të Sali Berishës.
Është e vetmja që qelb erë në çdo cep të Shqipërisë këto ditë, pasi është i vetmi i vdekur, i pavarrosur në këtë vend.