Euro e ka nisur këtë javë e nënçmuar ndaj lekut vendas duke u këmbyer me 122.35 lekë apo rreth 0.09 pikë më pak se fundi i javës që lamë pas. Prej dhjetë ditësh, euro po humbet pikë ndaj lekut dhe aktorët kryesorë të tregut e argumentojnë këtë me vëllimet e ulëta tregtare.
Sipas ekspertëve të këmbimit valutor, tërmeti i 26 nëntorit është një ndër faktorët e rënies së konsumit, i cili ka ndikuar drejtpërdrejtë tek volume tregtare. Ata shprehen se bizneset po arrijnë të mbyllin me vështirësi edhe pagesat për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve.
Tradicionalisht muajt tetor edhe nëntor njihen të vakët për sa i përket konsumit dhe vëllimeve tregtare, të cilat gjallërohen gjatë muajit dhjetor. Me sa duket dhjetori i këtij viti deri më tani po shfaqet i dobët në termat e konsumit.
Ekspertët e këmbimit valutor presin të shikojnë si do të reagojë tregu edhe nga efektet sezonale të rikthimit në atdhe të emigrantëve për festa.
Në tregjet ndërkombëtare, monedha e përbashkët është shfaqur e fortë përkundrejt dollarit amerikan. Sipas kursit të këmbimit të publikuar nga Financial Times, një euro këmbehet me 1.11 dollarë, ndërkohë euro ka shënuar në 12 muajt e fundit, 1.15 dollarë si nivelin më të lartë të këmbimit/Monitor.