Kohën e fundit një ndër temat aktuale dhe brengë kryesore e qytetarëve është ndotja e mjedisit.
Drejtori i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun në KEK, Skënder Bucolli, ka thënë është e vërtetë se termocentralet e KEK-ut, që nga ndërtimi i tyre, nuk ishin dizajnuar të jenë miqësore për ambientin.
“Mirëpo, duhet theksuar se ndotja nga KEK-u është konstante gjatë gjithë vitit. Ndërsa, edhe sipas raportit të Ambasadës Amerikane del se përkeqësimi i gjendjes së ambientit fillon në muajin tetor, kur fillon nxemja e amvisërive, por edhe nga veturat e stërvjetra”, ka theksuar ai për RTKlive.
Sipas tij duke qenë se nga 140 MW energji termike të instaluar, “Termokosi” arrin t’i pranojë diku rreth 65 MW energji termike d.m.th. më pak se 50 % të kapaciteti të instaluar, madje kjo rezulton që nga fillimi i këtij projekti.
“Prandaj, në këtë drejtim është mëse e domosdoshme të mendohet në gjetjen e fondeve për zgjerimin e rrjetit të Termokosit në Prishtinë, por edhe në Obiliq e Fushë Kosovë. Kjo do të ulte në masë të madhe kërkesën për konsum të energjisë elektrike por do të ndikonte dukshëm edhe në përmirësimin e ambientit”, ka theksuar ai.