Ngrohtorja e kryeqytetit “Termokos” do të zgjerojë rrjetin edhe në më shumë se 120 objekte banesore, ku do të investohen 13 milionë euro, ka bërë të ditur zëdhënësja e kësaj ndërmarrjeje, Afërdita Uka- Fejzullahu, në një intervistë për Ekonomia Online.
Aktualisht, shtrirja e gypave të ngrohtores është duke u bërë në lagjen Mati 1.
Sipas, Uka-Fejzullahut në rrjet do të kyçen 40 objekte në lagjen Mati 1 dhe 86 objekte në Ulpianë, Dardani dhe Bregun e Diellit.
“Projekti për rehabilitimin dhe zgjerimin e projektit të ngrohjes i cili ka filluar vitin e kaluar është investim nga Qeveria gjermane në vlerë 12 milionë euro. Projekti sapo ka filluar realizimin në lagjen Mati 1, në rrugën ‘Muharrem Fejza’ dhe përreth. Janë shtuar 40 objekte banesore në këtë lagje”.
“Mbi 1 milion euro ka investuar ‘Termokos’ ndërsa 12 milionë euro Qeveria gjermane, duke mundësuar që të kyçen edhe 40 objekte banesore që të mos mbesin jashtë objektit të ngrohjes”.
“Ndërsa objekte të vjetra banesore që do të kyçen në rrjetin e ngrohjes janë 86 objekte të vjetra banesore që shtrihen në qendër, Ulpianë, Dardani dhe Bregu i Diellit”, tha Uka-Fejzullahu.
Sa i përket shtrenjtimit të tarifave të ngrohjes, Uka-Fejzullahu theksoi se deri më tani nuk kanë indikacione që do të ketë ngritje të çmimit.
“Sa i përket shtrenjtimit të tarifave të ngrohjes kjo nuk është përgjegjësi e jona. ZRrE është autoriteti i vetëm rregullativ i tarifave të ngrohjes për ne. Ne kemi aplikuar për shqyrtimin e tarifave të reja për sezonin e ardhshëm. Jemi në pritje të një përgjigje nga ZRrE-ja. Deri më tani nuk kemi indikacione se do të ketë ngritje të çmimit të tarifave të ngrohjes”.
Tutje, ajo tha se janë në realizimin e projektit për energjinë solare. Ai shtoi se kanë probleme të vazhdueshme me konsumatorë borxhlinjë të cilët kanë grumbulluar fatura të papaguara në vlerë 18 milionë euro që nga paslufta deri më tani, raporton EO.
“Fondi nga Qeveria Gjermane prej 12 milionë euro do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm. Do të ketë kyçje të objekteve banesore në një pjesë të lagjes Arbëria. Jemi në realizimin e planeve për projektin për energjinë solare i cili është në fazën e studimit të vlerësimit të ndikimit në mjedis. Me këtë projekt do të bëhet një zgjidhje e përhershme për ngrohje. Ku do të furnizohen dy lagje të reja Arbëria dhe lagja Tophane”, tha ajo.
“Sado që kemi një numër të madh të konsumatorëve të cilët janë të rregullt lidhur me pagesat e faturave të ngrohjes të cilëve u jemi falënderues për rregullsinë në këto pagesa në saj të cilëve ka funksionuar për vite të tëra Termokos. Kemi probleme të vazhdueshme me konsumatorë borxhlinjtë të cilët kanë grumbulluar fatura të papaguara dhe vlera e borxhit arrin diku 18 milion euro që nga paslufta deri më tani. Një pjesë e tyre nuk kanë shfrytëzuar as ligjin për faljen e borxheve i cili ka qenë në fuqi deri në fund të vitit 2014. Një pjesë e tyre kanë paguar borxhin me këste”.