Ngrohtorja “Termokos” do të vazhdojë furnizimin me ngrohje në qytetin e Prishtinës, pas uljes së temperaturave ditëve të fundit.
Siç është thënë në një komunikatë për media nga “Termokosi”, furnizimi me ngrohje do të vazhdojë për “sa të jetë e nevojshme”.
Sezoni i ngrohjes 2020/2021 është dashur të përfundonte të enjten.
“Ndonëse, sezoni ngrohës 2020/2021 ligjërisht do të duhej të përfundojë nesër, duke u bazuar në konditat aktuale klimatike, parashikimet e meteorologëve për ditët në vazhdim, si dhe bazuar në ligjet në fuqi e Rregulloren e ZRRE-së për furnizim me energji, furnizimi me ngrohje do të vazhdojë edhe për aq kohë sa do të jetë e nevojshme, përkatësisht derisa të përmbushen kushtet klimatike për përmbyllur këtë sezon ngrohës. Furnizimi me ngrohje gjatë këtyre ditëve do t’iu përshtatet kushteve klimatike”, thuhet mes tjerash në komunikatë.