Pasi që, mbi vendin tonë po mbretërojnë temperatura të ulëta, të cilat sipas parashikimeve meteorologjike do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme, NP “Termokos” Sh.A në koordinim me KEK-un ka vendosur që të vazhdojë furnizimin me ngrohje.
Afërdita Uka zëdhënëse e Termokos-it, i tha RTK-së se edhe pse ligjërisht sezoni i ngrohjes 2018/2019, në kushte normale klimatike do të duhej të përfundonte, të hënën vazhdimi i furnizimit me ngrohje është në harmoni të plotë me ligjet në fuqi dhe me rregulloret e ZRRE-së, sipas të cilave sezoni ngrohës mund të zgjatet në varësi të kushteve klimatike.
“Termokos” Sh.A do të vazhdojë të përcjellë me kujdes lëvizjen e temperaturave dhe në varësi të tyre do të vazhdojë të furnizojë me ngrohje të mjaftueshme dhe cilësore gjithë konsumatorët për aq kohë sa do të jetë e nevojshme.
Ajo bëri me dije se këtë vit do të shtrihet edhe rrjeti i “Termokos-it”, të rrjetit. “Ka shumë kërkesa për shtrirje të rrjetit. Do të zgjerohet në Lagjen “Kalabria”, në Rrugën “B”, etj”, tha ajo sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës.