Myftiu Naim Tërnava ka thënë se për shkak të pandemisë pezullohet falja e namazit të Bajramit si dhe të gjitha ritet fetare për 10 ditë në të gjitha xhamitë, raporton Ekonomia Online.
“Këto ditë është shkruar rreth faljes së namazit të Kurban Bajramit, BIK duke analizuar situatën, edhe në mbledhjen e fundit u diskutua rreth këtij problemi të madh, ndaj BIK lajmëron të gjithë besimtarët se nesër pezullohet falje e namazit të Bajram”, ka thënë Ternava.
Ai po ashtu ka njoftuar pezullimin e të gjitha aktiviteteve për 10 ditë nëpër xhami.
Në mesazhin e tij me rastin e Kurban Bajramit, Myftiu Tërnava ka uruar gjithë besimtarët myslimanë për këtë festë.
Ai theksoi se për këtë Bajram, ndjenjat janë të përziera si asnjëherë më parë, për shkak të gjendjes së pandemisë.
“Pandemia ka çrregulluar jetën normale, prandaj e presim në gjendje të rënduar dhe që kjo të kalojë sa më parë dhe Bajramin e ardhshëm ta festojmë si më parë. Ju ftoj të gjithëve që ta ruajmë karakterin festiv të festës dhe të kemi kujdes. Ju ftoj që për shkak të virusit t’i shmangim vizitat dhe përshëndetjet me përqafime”, tha Tërnava.
Ai iu bëri thirrje qytetarëve që të evitojnë vizitat tradicionale tek të afërmit, me qëllim të mbrojtjes nga Covid-19.
Mesazhi i plotë i Myftiut Tërnava:
Me emrin e Allahut të Mëshirshëm, Mëshirëplotë
Falënderimi i takon Zotit të botëve ,Atij i qofshim falë ngase Madhërimi, lavdi e adhurimi i takon vetëm Atij ,
Salatet e selamet tona dedikuar më të mirit të njerëzimit, Dritës së pafundme të udhëzimit, qofshin mbi Muhamed Mustafanë familjen e tij të pastër e fisnike dhe ithtarët të tij besnik.
Të nderuar besimtarë!
Vëllezër e motra!
Të nderuar qytetarë të Kosovës
Sot, është një ndër ditët më të rëndësishme për besimtarët myslimanë – është Dita e Arafatit – ditë kjo kur besimtarët myslimanë, të gjithë të barabartë e të veshur njejtë me petkun e bardhë në rrafshnaltën e Arafatit, i drejtohen Zotit fuqiplotë me përulje në adhurim për mëshirë, mirësi e begati. Për besimtarët myslimanë, qëndrimi në Arafat është një nga kushtet themelore të kushtit të pestë të fesë islame – Haxhit.
Qëndrimi në Arafat tek besimtari sjell në kujtesë edhe qëndrimin e Pejgamberit Muhamed a.s. në ketë vend, nga ku edhe iu drejtua besimtarëve me ligjërimin shumë kuptimplotë e domethënës që njihet si “Hytbeja e Lamtumirës”, përmes së cilës Pejgamberi a.s. përçoi mesazhe e udhëzime për sjelljen e njeriut në raport me Krijuesin, për sjelljen e njerëzve me familjen dhe komunitetin, si dhe për sjelljen ndërnjerëzore pa dallim.
Të dashur vëllezër e motra,
Pas Ditës së Arafatit, vjen Nata e bekuar e Kurban Bajramit, natë kjo që i paraprinë njërës prej festave më të mëdha të besimtarëve myslimanë, festës së Kurban Bajramit. E Kurban Bajrami, sikurse dihet, ndërlidhet me përfundimin e Haxhit dhe me therjen e kurbanit, i pari, pra Haxhi është një nga shtyllat e besimit për ata që kanë mundësi, ndërsa i dyti, pra kurbani është vaxhib dhe traditë e preferuar e Pejgamberit për myslimanët.
Vëllezër e motra,
Në raste festash natyrisht që duhet dhe jemi të gëzuar e të lumtur, por kësaj here, pra për këtë Kurban Bajram, kemi ndjenja të përziera si asnjëherë më parë.
Kështu ndihem unë dhe kështu ndihen edhe të gjithë besimtarët myslimanë kudo që janë, sepse megjithëse jemi në Ditën e Arafatit dhe megjithëse jemi në vigjilje te natës së Kurban Bajramit, për shkak të pandemisë që ka shkaktuar virusi Covid-19, këtë Bajram nuk po e presim ashtu siç do të dëshironim; sot Arafatit i mungojnë miliona haxhilerë nga e tërë bota, e edhe haxhilerët nga vendi ynë.
Muzdelifja, Mina, Safaja, Merva dhe Qabeja e bekuar kësaj radhe nuk po kumbojnë si më parë nga duatë dhe lutjet e haxhilerëve nga të gjitha skajet e botës.
Mirëpo ne edhe pse sot fizikisht nuk jemi atje, ne shpirtërisht jemi si asnjëherë më parë të përkushtuar në lutjet dhe ibadetet tona drejtuar Allahut xh.sh..
Tekbiret, salavatet dhe duatë tona nuk kanë të ndalur edhe nga këtu ku Zoti na ka falë, madje ato i kemi shtuar edhe më shumë, së bashku me lutjet drejtuar Allahut xh.sh. që nijetin e atyre të cilëve iu pamundësua kryerja e Haxhit, t’ua ketë pranuar dhe t’ua ketë bërë kabullë.
Vëllezër e motra,
Pandemia e shkaktuar nga Virusi Covid-19 ka çrregulluar rrjedhën normale të jetës kudo në botë e edhe tek ne, prandaj këtë Bajram e presim në gjendje të renduar pandemike, andaj edhe sot lusim Zotin xh.sh. që kjo sprovë e pandemisë që na ka goditur, të kalojë sa më parë dhe bajramin e ardhshëm ta festojmë tradicionalisht si gjithmonë.
Situata ditëve të fundit paraqitet e vështirë dhe nga ne kërkohet që të kontribuojmë në tejkalimin e kësaj gjendjeje.
Nga ne kërkohet që ta ruajmë shëndetin publik, t’i respektojmë masat anti covid dhe të jemi më të kujdesshëm, me të vetmin qëllim që sa më lehtë të kalojmë këtë gjendje.
Prandaj, ju ftoj të gjithëve që ta ruajmë karakterin festiv të festës, por në këtë kohë pandemie të kemi më shumë mirëkuptim, disiplinë, solidaritet, mbështetje e përkujdesje për ata që kanë nevojë, e sidomos për ata që po sprovohen më virusin Covid-19.
Fundja, kjo është edhe esenca e festës së Kurban Bajramit, e cila bartë në vete mesazhin e barazisë, unitetit, drejtësisë e sakrificës, premisa e parime këto që na bëjnë më të afërt e më të dashur me njëri-tjetrin, si dhe na bëjnë më human, më solidar e më fisnik, qoftë si individ qoftë si shoqëri.
Vëllezër e motra,
Festat fetare te ne, e sidomos festat e bajramit, janë festat më popullore, ngase këto janë të shtresuara thellë në kulturën dhe traditën tonë, përmes së cilave manifestohet kënaqësia shpirtërore për kryerjen e obligimeve hyjnore.
Si në asnjë festë tjetër, festa e bajramit shoqërohet me vizita tek familja, farefisnia e miqësia, gjë që duhet kultivuar e praktikuar, mirëpo jo edhe kësaj radhe, andaj ju ftoj të gjithëve që për shkak të rrezikut të përhapjes së virusit, t’i shmangim vizitat, të shmangim përshëndetjen tradicionale të bajramit me dorë e përqafime, si dhe t’i shmangim tubimet e shumë njerëzve, qoftë në ambiente të hapura apo të mbyllura.
Të festojmë bajramin duke lutur Zotin që t’i mëshiroj të gjithë ata që pësuan nga Covidi, të prekurve t’u jep shërim sa më të shpejtë, ndërsa neve na mbetet që të kujdesemi që të parandalojmë në mënyrë sa më të organizuar e më këmbëngulëse përhapjen e këtij virusi.
Vëllezër e motra, ku do që jeni, duke ju uruar për festën e madhe të bajramit, lus Zotin për shëndet, mbarësi, dashuri e harmoni në familjet tuaja.
Me hajr e mbarësi festa e Kurban Bajramit!