Tërnava: “Populli i Kosovës nuk e meriton edhe sfidën politike”

Prishtinë | 20 Mar 2020 | 15:05 | Nga Ekonomia Online

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i është drejtuar qytetarëve me anë të një letre, ku i njofton se për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, është vendosur që të bëhet edhe pezullimi i përkohshëm i namazit të xhumasë dhe i namazeve të tjera në xhami.

Sipas Tërnavës, krejt kjo bëhet për të ruajtur shëndetin tonë, për të ruajtur qoftë edhe një jetë njeriu dhe për ta tejkaluar këtë sfidë me sa më pak dëme.

“Mirëpo, kjo nuk do të thotë që ne të lemë anash obligimet tona ndaj Krijuesit, namazet tona do t’i falim në shtëpitë tona, bashkë me familjet tona. Nuk do e falim namazin e xhumasë, por do falim namazin e drekës, do të bëjmë lutje e dua që Zoti i Madhëruar të na jap durim, forcë e moral për të dal sa më parë nga kjo gjendje”.

“T’i lutemi Zotit të na ruaj e të mos na sfidojë me virus, sepse viruset nuk njohin kufi, nuk njohin moshë, nuk njohin gjini, nuk njohin etni e nuk njohin as profesion”, shkroi Tërnava.

Ai po ashtu iu drejtua gjithë spektrit institucional e politik që në këtë situatë të lënë me një anë interesat politike dhe të jenë unikë në tejkalimin e kësaj sfide.

“Populli i Kosovës nuk e meriton edhe sfidën politike. Nëse ne jemi të pafuqishëm kundrejt këtij virusi, besoj fuqishëm se krizën institucionale e politike mund ta shmangim”, shtoi ai.

Të ngjashme