Në prag të Fitër Bajramit, drejtuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës kanë uruar që kjo festë të shfrytëzohet për të përhapur ndjenjën e vëllazërisë, mirësisë e dashurisë me njëri-tjetrin.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në një paraqitje për media sot në Këshillin e Bashkësisë Islame, ka uruar kosovarët që të kenë shëndet, harmoni e lumturi.
“Nesër më 5 korrik, është dita e parë e Fitër-Bajramit, e cila vjen si rezultat i kryerjes së një prej obligimeve më madhore të fesë sonë, një nga kushtet e Islamit, agjërimit të muajit të bekuar të Ramazanit, muajit të Kuranit, të sakrificës, përkushtimit e devotshmërisë së shtuar në adhurim, ndaj Krijuesit të gjithësisë. Ndaj më lejoni që në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, organeve dhe institucioneve të saja dhe në emrin tim personal t’ju uroi për festën e Fitër- Bajramit, për dëshirat më të mira për ju dhe familjet tuaja”.
“Nesër në agimin e hershëm shumë nga besimtarët tanë do të nisën për në xhami, të gëzuar e të motivuar si asnjëherë më parë, për ta kurorëzuar agjërimin me faljen e namazit të Bajramit. Kjo ditë e Bajramit e cila vjen pas një sakrifice të madhe vetëm për Zotin Krijues, me të drejt shpresojmë në shpërblimin nga i Madhi Zot. Ditë e cila rritë edhe më besimin te Zoti dhe shpresën për një jetë më të mirë, duke e ditur se festa e Bajramit është festa më e bekuar për besimtarët islam”, tha Tërnava, në mesazhin e tij.
“Është festa e sakrificës, e devotshmërisë, bamirësisë, solidaritetit, unitetit e bashkimit dhe mirësisë. Gëzim, lumturi, bashkim, urtësi, paqe sjell për të gjithë ne kjo festë e Fitër- Bajramit, duke e pasur në hatër se kjo festë na çliroi nga ndjenja e hezitimit, e dobësisë e vuajtjes, dyshimit, duke forcuar besimin tonë në Zotin Krijues”.
“Nëpër familjet tona edhe gjatë kësaj feste të përhapim ndjenjën e vëllazërisë, mirësisë e dashurisë me njëri tjetrin, të kemi shëndet, harmoni e lumturi. Urimet me njëri tjetrin, vizitat nëpër familjet tona, janë tradita që duhet ndjekur për të shprehë vëllazërinë, bujarinë e sinqeritetin me njeri tjetrin, për të uruar dhe gëzuar kësaj feste kaq të rëndësishme”, theksoi ai, më tutje.
“Sot kur feston bota mbarë, sot kur zemrat tona janë edhe më afër me njeri tjetrin, sot kur mëshira e Allahut xh.sh., është shpërndarë si asnjëherë më parë mbi besimtarët, sot kur shumë fytyra janë të gëzuara dhe presin që nesër do të jen në përqafim me prindërit dhe të afërmit e tyre për të uruar për festën e Fitër – Bajramit. Ta lusim Allahun për faljen e mëkateve dhe shpërblimin me të mirat e tij”.
“Në këto momente festive kudo shtrihet dora e mëshirës, kjo festë nëpër familjet tona mbjellë gëzimin e harenë, forcon vëllazërinë dhe dashurinë mes njerëzve, na rikujton për kujdesin e vazhdueshëm që duhet të kemi edhe në këto momente festive për varfanjakët, të sëmurët, të pa aftit për punë dhe për të gjithë ata që janë në nevojë”.
Më tutje, kreu i BIK-ut theksoi se festa e Fitër Bajramit njeriun e rikthen edhe njëherë në përkushtimin edhe më të madh ndaj Krijuesit, të cilin e shprehim përmes adhurimeve të shumta të cilat e pastrojnë dhe e motivojnë shpirtin edhe më shumë për vepra të mira, duke pastruar atë nga egoja, urrejtja, pangopësia, zilia e xhelozia, duke e udhëzuar në vepra të mira dhe respekt me njëri-tjetrin.
Namazi i Fitër Bajramit falet të martën prej orës 05:40.