Terroristët e djeshëm, “humanistët” e së sotmes

Prishtinë | 11 Pri 2020 | 08:48 | Nga Ekonomia Online

Në tetor të 2005-s, një termet prej 7.5 ballësh të Rihterit dridhi Azinë Jugore, duke lënë të vdekur së paku 400 persona, shumicën në Pakistan. Në vijën e parë të frontit të përgjigjes ndaj kësaj tragjedie ishin me qindra vullnetarë të “Jamaat-ud-Dawa”, një organizatë bamirëse islamike që shërben si një organizatë mbulesë e grupit militant xhihadist me lidhje me “Al-Qaedan”, Lashkar-e-Taiba.

Pas katastrofës natyrore, Jamaatud-Dawa – një zgjatim i Lashkar-eTaibas – fitoi lavde gjithandej për përpjekjet e bëra në ofrimin dhe distribuimin e ndihmave për pakistanezët e prekur nga tërmeti. Pandemia e koronavirusit ka krijuar mundësi të ngjashme për një sërë organizatash terroriste, kryengritëse dhe kriminale.

Përgjatë botës, këto organizata veç kanë nisur kërkimin për të siguruar legjitimitet politik përmes dispozitës së shërbimeve të shëndetit publik, sidomos në vendet dhe rajonet ku qeveritë ose kanë qenë të pavullnetshme ose nuk kanë pasur mundësi për të ndihmuar.

Ndihmë e maskuar

Në Afganistan, talebanët kanë premtuar qasje të sigurt për kalimin e shërbyesve të shëndetit publik përmes territoreve që kontrollojnë, derisa anëtarët e grupit e kanë nisur një fushatë të shëndetit publik për t’i informuar qytetarët afganë rreth rreziqeve të virusit, duke ofruar kësisoj informata se si të jenë të sigurt nga përhapja e tij. Deri në fillim të prillit, Afganistani ka raportuar 367 raste me koronavirus, ndonëse, bazuar në infrastrukturën joadekuate shëndetësore të vendit, kjo shifër duket skajshmërisht e ulët.

Mbase në përpjekje për të dëshmuar se mund të jenë një hisedar i përgjegjshëm në një qeveri të ardhshme afgane, talebanët madje ofruan që të zbatojnë armëpushim në disa pjesë të Afganistanit, sidomos ato të shkatërruara nga sëmundja. Në Liban, grupi militant shiit “Hezbollah” ka ofruar kalimin e dhjetëra ambulancave dhe pjesëtarëve të Shoqërisë Islamike të Shëndetësisë për spërkatjen e hapësirave publike me dezinfektues.

Libani ka raportuar 541 raste me koronavirus, ndërsa Qeveria po përballet me vështirësi për ta frenuar përhapjen e pandemisë. E plandosur nga e keqja e korrupsionit, Qeveria e Libanit, pjesë e së cilës është “Hezbollahu”, do të ketë nevojë për çdo lloj ndihme në përgjigjen ndaj krizës. “Hezbollahu” ia ka ofruar Qeverisë resurset e veta të ndërlidhura me shëndetin, mbase në përpjekje për siguruar që përpjekjet e tij të mos perceptohen si sektare, duke e ngritur kësisoj zërin e grupit nëpër të gjithë sektorët e establishmentit politik të Libanit.

Në Sirinë e pllakosur nga lufta, grupi militant “Hayat Tahrir alSham” ka cituar udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në numrin e marsit të gazetës së saj “Ebaa”, duke ofruar këshilla se si mund sirianët të mbrojnë veten dhe familjet nga sëmundja. Grupi e ka kapacitetin që të botojë me mijëra kopje të gazetës në bazë ditore dhe fokusi primar për sa i përket distribuimit është në territorin e kontrolluar nga rebelët, në veriperëndim të Sirisë.

Numri i rasteve të raportuara me koronavirus në Siri është aktualisht më i ulët se 30, ndonëse të paktë janë ata që presin transparencë nga diktatori sirian, Bashar al-Assad, i cili i ka zbatuar me vonesë masat e duhura për ta ndihmuar jetesën e sirianëve në rajonet që ende kontrollohen prej regjimit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme