Dyqani bamirës “Teshavesha” ka organizuar aktivitetin dyditor “Vikendi i Dizajnerëve”. Në këtë ngjarje dizajnerët vendorë të njohur të modës kanë dhuruar kreacionet e tyre falas që do të shiten me çmime simbolike në kuadër të tregut të hapur, në ndihmë të nënave dhe fëmijëve.
Tanita Zhubi nga dyqani Teshavesha shpjegoi për Ekonomia Online qëllimin e krijimit të kësaj iniciative.
“Butiku ‘Teshavesha’ në bashkëpunim me ‘Comon’ dhe ‘Empover privat sector’ kanë organizuar një aktivitet me qëllim të organizimit të një tregu të hapur duke i mbledhur të gjithë dizajnerët që tregojnë gatishmëri për t’i dhuruar kreacionet e tyre për bamirësi”, shpjegoi ajo, raporton Ekonomia Online.
“’Teshavesha’ është një dyqan i dorës së dytë, ku ne mbledhim donacione prej qytetarëve çdo ditë ku teshat të cilat i shesim shkojnë në kuadër të fondacionit Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”, tha Zhubi.
Ajo tha se përmes dhurimit të kreacioneve të tyre dizajnerët kanë treguar shumë zemërgjerësi.