Një test që mund ta diagnostikojë saktë koronavirusin brenda pak minutash, do ta zgjerojë në mënyrë dramatike testimin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Sipas saj, testi prej 5 dollarësh mund ta transformojë gjurmimin e koronavirusit në vendet më pak të pasura, që kanë mungesa të punëtorëve të kujdesit shëndetësor dhe të laboratorëve.
Prodhuesit e ilaçeve, Abbott dhe SD Biosensor, kanë rënë dakord me fondacionin bamirës “Bill dhe Melinda Gates” për të prodhuar 120 milionë teste, tha kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
“Testi i ri, mobil dhe i lehtë për t’u përdorur do të japë rezultate brenda 15-30 minutash, në vend të orëve ose ditëve”, tha Tedros.
Koha e gjatë midis bërjes së testit dhe marrjes së rezultatit i ka penguar përpjekjet e shumë vendeve për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit.
Marrëveshja midis prodhuesve të ilaçeve dhe fondacionit “Bill dhe Melinda Gates” do të përfshijë 133 vende – shumë prej tyre në Amerikën Latine, e cila aktualisht është rajoni më i goditur nga pandemia për sa i përket fatalitetit dhe shkallës së infeksionit.
Marrëveshja do të sigurojë 120 milionë teste gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.
Në të gjithë botën, koronavirusi ka prekur mbi 33 milionë njerëz.
Prej tyre, mbi një milion kanë vdekur dhe mbi 23 milionë janë shëruar.