Testet PCR nga kjo javë mund të kryhen edhe në Qendrën Rajonale të Shëndetësisë në Ferizaj

Prishtinë | 02 Mar 2021 | 14:01 | Nga Ekonomia Online

Në Qendrën Rajonale të Shëndetësisë Publike në Ferizaj ka nisur përgatitjet që testet PCR për COVID-19 të realizohen gjatë kësaj jave në këtë institucion, në kohën kur shifrat e të infektuarve me koronavirus kanë shënuar rritje në vend.

Tashmë ky institucion është pajisur me aparatura të nevojshme, po ashtu edhe stafi ka kryer trajnimet e duhura për përgatitjen e testimeve.

Drejtoresha e këtij institucioni, Sevdije Topalli-Mehmeti, ka thënë për KOHËN se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet, mirëpo janë në pritje të kalibrimit të pajisjeve elektronike për kryerjen e testeve.

Sipas saj, ky institucion gjatë ditës pranon rreth 100 mostra për testime të qytetarëve.

“Ne jemi duke i pranuar mostrat e të gjithë qytetarëve për testime sikur edhe në të kaluarën, mirëpo gjatë javës po presim që këto teste t’i kryejmë në institucionin tonë. Jemi duke e pritur nivelin qendror për kalibrimin e një aparature dhe pastaj po besoj se gjatë javës do të fillojmë edhe në Ferizaj”, ka thënë Topalli.

Sipas saj, sa herë që ka pasur indikacione për testimin e nxënësve dhe të mësimdhënësve, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Ferizaj ua ka bërë testet dhe do të vazhdojnë vazhdimisht të punojnë në shërbim të qytetarëve.

Ndërkaq, sipas Komunës së Ferizajt të hënën, për 24 orë janë shënuar edhe 29 raste të reja pozitive me Covid 19.

Të ngjashme