Testi i Arritshmërisë sërish me kopjime, pyetjet e përgjigjet nëpër rrjete sociale

Prishtinë | 05 Qer 2022 | 16:02 | Nga Ekonomia Online

Pjesa e parë e Testit të Arritshmërisë, në kuadër të të cilit nxënësit e klasave të nënta u testuan në katër lëndë, u shoqërua edhe kësaj radhe me shpërndarje të pjesëve të testit e përgjigjeve nëpër rrjete sociale e aplikacione të mesazheve. Disa nxënës që iu nënshtruan këtij testi kanë thënë se kontrolli ishte i rreptë, ndonëse jo të gjithë e përjashtuan mundësinë e kopjimit. Ministria e Arsimit ka thënë se do të ndërmarrë hapa në bazë të analizave të komisionerëve të këtij institucioni që kanë qenë të ngarkuar me mbarëvajtjen e testit

Mbi 24.000 nxënës të klasave të nënta kanë hyrë të shtunën në pjesën e parë të Testit të Arritshmërisë, që u mbajt në 176 qendra testimi.

Por, testimi i tyre në katër lëndë edhe sivjet u përcoll me shpërndarje testesh e përgjigjesh nëpër rrjete sociale.

Kjo bëhej nëpërmjet grupeve lehtësisht të qasshme në Facebook e në Viber. Në kohën sa është mbajtur testi, grupi i mbyllur “Testi i Arritshmërisë IX-04.06.2022” në Facebook ka numëruar mbi 2.700 anëtarë, ndërkaq tjetri në Viber “testi i semit 2022” mbi 900.

Kopjimi është i dukshëm e nuk fshihet pasi brenda pak minutave administratorët pranojnë anëtarë të rinj pavarësisht nëse janë apo jo semimaturantë, ndërsa ai në Viber është krejt i hapur pasi është i regjistruar si në kategorinë e grupeve të komunitetit (“community”).

Në shkollën “Elena Gjika” në kryeqytet, disa nxënës kanë thënë se mbikëqyrja sivjet ka qenë më e rreptë. Finesa Islami, 15-vjeçare, që është në përfundim të Shkollës së Gjelbër, ka thënë se nxënësve s’u është lejuar të flasin mes vete gjatë testit.

“Testi ishte mirë. Pyetjet ishin të vështira, por kemi mësuar vazhdimisht. Ka qenë shumë rreptë. S’na kanë lënë as të flasim, as të kthehemi, asgjë”, ka thënë Islami.

Nil Kaja, 15-vjeçar tjetër nga shkolla “Elena Gjika”, ka thënë se komisionerët kanë qenë gjatë gjithë kohës në lëvizje.

“Testi nuk ishte aq i lehtë. Na i kanë marrë të gjitha gjërat, s’kemi pasur mundësi të kopjojmë fare. Telefonat na i kanë marrë. Të gjitha gjërat na i kanë kontrolluar e na i kanë marrë. Komisioni është sjellë vazhdimisht dhe nuk kemi mundur fare të kopjojmë. Por, mirë ka shkuar jemi përgatitur mjaft shumë me arsimtarë. Ka pasur pyetje nga klasa e gjashtë, po normalisht që janë harruar ato dhe ndoshta nuk kanë dalë ato që i kemi mësuar se edhe i kemi harruar”, është shprehur Kaja.

Por, Kron Berisha nuk e ka përjashtuar mundësinë e kopjimit, ndonëse e ka pasur përshtypjen se vitet e kaluara ka pasur më shumë.

“Nuk ka qenë aq i vështirë. Ka pasur pyetje që nuk i kemi dëgjuar ndonjëherë, por duke i rikujtuar gjërat që i kemi mësuar e kaluam me sukses. Në dallim me vitet e tjera, monitorimi ka qenë më i rreptë. Ka ardhur komisioni shpeshherë dhe nuk kemi pasur mundësi të kopjojmë shumë”, është shprehur Berisha.

Reagim ka bërë organizata joqeveritare ETEA që merret me çështje të arsimit, e cila kopjimin e ka quajtur masiv dhe fenomen që s’duhet toleruar.

ETEA e mirëkupton vendimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për uljen e kriterit të kalueshmërisë së testit nga 60 në 40 pikë si lehtësim për shkak të pasojave që ka shkaktuar COVID-19 në sistemin arsimor të Kosovës.

Por, në asnjë rrethanë dhe për asnjë arsye nuk duhet të tolerohen mashtrimi dhe kopjimi masiv, pasi kjo, përveç faktorit të të mësuarit mekanik (përmendësh), përbën shkaktarin kryesor të analfabetizmit funksional, i cili sipas vlerësimeve ndërkombëtare kredibile shkon mbi 75%!

Testi i Arritshmërisë, i organizuar në këtë mënyrë duke toleruar vit pas viti kopjimin masiv, në fakt shkakton kundërefekt”, ka shkruar kjo organizatë në një komunikatë për media.

Në MASHTI kanë thënë se do të vendosin për hapat e mëtutjeshëm pasi të dhënat e komisionerëve t’i analizojë Divizioni për Vlerësim brenda ministrisë.

“Divizioni për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim i MASHTI-t, bazuar në raportet e komisionerëve dhe informatat e mbledhura do të analizojë të gjithë procesin e testimit dhe pas vlerësimit të përgjithshëm do të vendoset për hapat që do të ndërmerren në vazhdim sa i përket pjesës së parë të Testit të Arritshmërisë”, ka shkruar Ministria në një komunikatë për media. Së fundi, në një raport të Zyrës Kombëtare të Auditimit janë përmendur anomalitë e shkaktuara nga kopjimi.

“Për shembull, pesë nxënës me notë mesatare 5 shënuan vetëm 20 deri në 40 pikë në TA. Edhe e kundërta është gjithashtu e vërtetë p.sh. një nxënës kishte notën mesatare nën 2, por megjithatë arriti të shënonte mbi 70 pikë në TA. Nëse lidhja mes notave mesatare dhe rezultateve të testit do të ishte më e fortë, pikat do të ishin më afër vijave të tyre përkatëse”, shkruhet në raportin e performancës “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare” të ZKA-së.

Në pjesën e parë, nxënësit iu nënshtruan testit në gjuhën shqipe e angleze, histori e gjeografi. Ndërkohë, në pjesën e dytë, më 14 qershor, këta nxënës do t’u përgjigjen pyetjeve në matematikë, informatikë, biologji, kimi dhe fizikë.

Të ngjashme