Testi për demokratizimin e Serbisë është raporti që politikanët serb kanë pasur dhe kanë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.
Këtë test, nuk e ka kaluar asnjë politikan serb me ndikim afatgjatë në politikën serbe që nga koha krijimit të Serbisë si shtet e deri më sot.
Sigurisht ka pasur politikanë serbë me ndikim afatshkurtër, politikanë dhe intelektual opozitarë dje dhe sot e ndër më të shquarit historikisht janë socialdemokratët serb, që kanë pasur qëndrime parimore në raport me shqiptarët në përgjithësi dhe Kosovën në veçanti.
Kjo është një e vërtetë që të gjithë ne si popull prej vitit 1878 e deri më sot e kemi ndjerë në lëkurën tonë. Por përderisa politika serbe matet me Kosovën në planin e demokratizimit, ne nuk mund të jemi robër të betejës së brendshme politike serbe, e as të lavdërojmë politikanë serbë, siç po bën kryeministri Kurti, të cilët nuk e kanë kaluar këtë test.
Madje duke çmuar të gjithë ata që janë parimor, ne na u ka dashtë të luftojmë por edhe dialogojmë me ata që zyrtarisht përfaqësojnë serbët.
Aq më tepër prej vitit 2008 e këtej kur si Kosovë jemi në pozicionin më të mirë ndonjëherë për të zgjidhur problemet e mbetura me Serbinë.
Sigurisht, nuk mund t’i zgjedhim udhëheqësit serb, por do të duhej të zgjedhnim marrëveshjen e cila i zgjidh problemet në mes të popujve dhe vendeve.
Duke bërë marrëveshje të mira, e që nuk krijojnë status quo të re, përveç një shërbim Kosovës dhe shqiptarëve ne do të ndihmonim edhe Serbinë të demokratizohet.
E pastaj jo vetëm ne, por do të krijoheshin rrethanat që gradualisht edhe vetë Serbia të fillonte të nderonte të gjithë ata intelektualë, aktivistë e politikanë serbë që kanë qenë në anën e duhur të historisë.