Testi “PISA” shtyhet për vitin 2022, Kosova s’tërhiqet nga pjesëmarrja

Prishtinë | 02 Kor 2020 | 19:55 | Nga Ekonomia Online

Pandemia Covid-19 ka bërë që Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) ta shtyjë mbajtjen e testit PISA. Testi ishte paraparë të mbahej vitin e ardhshëm, por është shtyrë për vitin 2022. Dy muaj më parë Ministria e Arsimit e kishte konfirmuar se po e shqyrton mundësinë që Kosova të pauzojë pjesëmarrjen deri në vitin 2024 për shkak të rezultateve jo të mira dy herët e shkuara.

Por, burime të KOHËS në MASHT kanë thënë se pas vendimit që të shtyhet mbajtja e testit nuk do të tërhiqen. Për shtyrjen e testit, MASH-i është njoftuar në fund të muajit qershor.

“Për shkak të pandemisë, OECD ka marrë vendim që të pezullojë aktivitetet dhe ‘PISA 2021’ të shtyhet për një vit për të gjitha shtetet pjesëmarrëse në këtë vlerësim ndërkombëtar të nxënësve. Pra, pilotimi i testit PISA do të bëhet në vitin 2021, ndërsa testi do të mbahet në vitin 2022”, thuhet në një përgjigje të MASH-it.

Sipas njohësit të çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, që të ketë Kosova rezultate të mira në 2022 fillimisht duhet të bëhen përmirësime në sistemin e arsimit, meqë thotë se në këtë drejtim nuk është punuar. Ai beson se ndikim negativ në PISA do të ketë edhe fakti që tash e disa muaj mësimi është mbajtur nga distanca e jo në shkolla.

Edhe Rinor Qehaja nga instituti “Edguard” vlerëson se Kosova nuk mund t’i gëzohet shtyrjes së testit, meqë, sipas tij, nuk është bërë ndonjë hap konkret, që do të mund të sillte rezultate më të mira se në të kaluarën.

Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të nxënësve (PISA) është studim ndërkombëtar i arsimit që vlerëson aftësitë e nxënësve 15-vjeçar në lexim, matematikë dhe shkencë, dhe mbahet çdo 3 vjet. Për herë të parë Kosova mori pjesë në “PISA 2015”, ku u rendit ndër vendet e fundit pjesëmarrëse. Renditje pothuajse të njëjtë pati edhe në “PISA 2018”, ku nga 79 shtetet pjesëmarrëse, në lexim zuri vendin e 77-të derisa në matematikë dhe shkencë të 76-n, duke lënë prapa vetëm Panamanë, Republikën Dominikane e Filipinet.

Të ngjashme