Testohet me sukses në gruan e vdekur transplantimi i veshkës së derrit

Prishtinë | 20 Tet 2021 | 10:34 | Nga Ekonomia Online

Një veshkë derri është testuar me sukses në një paciente të vdekur në një spital të Nju Jorkut muajin e kaluar për herë të parë pa u refuzuar menjëherë.

Përderisa organet e derrave janë të ngjashme me ato të njerëzve, një sheqer në qelizat e derrit e nxit refuzimin e organeve, shkruan Fox News, transmeton Gazeta Express.

“Pati funksionim absolutisht normal. Nuk e pati këtë refuzimin e menjëhershëm, për të cilin ishim të shqetësuar”, tha Dr.Robert Montgomery, që e udhëhoqi ekipin e kirurgëve.

Hulumtuesit po i shqyrtojnë derrat si mundësi për të siguruar ndihmë në kohën e mungesës së dhuruesve të veshkave. Rreth 12 pacientë vdesin në ditë duke pritur për dhurimin e veshkës.

Derri i përfshirë në testim ishte nga kompania “Revivicor”, e cila merret me inxhinierimin e kafshëve për t’i edituar gjenet e sheqerit. Kompania ka një grup prej 100 derrash në Iowa.

Veshka u testua në gruan e vdekur për dy ditë. Gjatë kësaj periudhe, organi funksionoi në mënyrën e duhur, duke i filtruar mbetjet dhe duke prodhuar urinë.

Shkencëtarët e mbajtën trupin e gruas në ventilator gjatë eksperimentit. Procesi u krye me miratimin e familjarëve.

Alternimi i gjeneve është miratuar në dhjetorin e kaluar nga Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve e ShBA-së si proces i sigurt për konsumim të ushqimit për njerëz dhe për ilaçe. Megjithatë, ky institucion ka thënë se zhvilluesit duhet të dorëzojnë më shumë dokumente para se organet e derrave të mund të transplantohen në njerëz të gjallë.

Të ngjashme