Ish-anëtari i LDK-së, Rrustem Tetaj, ka dhënë sot dëshminë e tij para trupit gjykues të Dhomave të Specializuara në rastin e ish-krerëve të UÇK-së.
Ai ndër tjera ka përmendur takimet në Kazermën e Prapaqanit, ku sipas tij sa herë i vizitonte Hashim Thaçi, shfaqeshin probleme për dy fraksione të ushtrisë.
”Me thënë të drejtën aty ishte biseda që ishin dy fraksione si Ushtri Çlirimtare të Kosovës dhe Forca të Armatosura të Kosovës me emrin FARK. Ishte presion largimi nga FARK-u dhe të jemi pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, a në realitet ishim të gjithë ushtarë”.
”Më tepër kanë qenë ato pyetjet, tani nuk më kujtohet më shumë por e di që ndërhyrja ka qenë në lidhje me Forcat e Armatosura të Kosovës me emrin e quajtur FARK”, tha ai.
Tetaj megjithatë përmendi edhe një çështje tjetër, që sipas tij asokohe ishte aktuale personalitetet të merreshin me figurat e LDK-së.
”Ka qenë fotografia e Rugovës, kështu që asokohe ka qenë më shumë aktuale që të merren me Ibrahim Rugovën dhe anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës sesa vetë me ushtrinë ose me organizimin e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
”Presioni ka qenë që kurrgjë mos me qenë në emër të dr. Ibrahim Rugovës. Kur them asgjë them që as fotografia, njerëzit që ishin anëtarë të LDK-së. Megjithëse atëherë sa më kujtohet, të gjithë ne ishim ushtarë”. /KlanKosova