Liga meksikane MX ka bërë të ditur se tetë futbollistë të klubit Santos Laguna janë diagnostikuar me coronavirus.
Liga e konfirmoi lajmin të mërkurën në mbrëmje, ndërkohë që edhe në të gjithë Meksikën është rritur dukshëm numri i të infektuarve së fundi.
Meksika i ka konfirmuar deri më tani afro 55 mijë raste pozitive me Covid-19 dhe 5,666 vdekje deir më tani – këto shifra kanë dallim të madh me shifrat e vendeve të atij regjioni.
Identiteti i asnjërit prej lojtarëve që dolën pozitivë nuk u bë publik, edhe pse liga e konfirmoi se të tetit ata po ndihen relativisht mirë përkundër infektimit.
“Liga MX raporton si në vijim pas rezultateve të testeve mjekësore që u bënë nga Club Santos këtë javë: Tetë lojtarë të infektuar me Covid-19. Megjithatë ata nuk kanë simptoma, ndërsa do të mbikëqyren vazhdimisht, në pajtim me protokollin qeveritar”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga klubi.
“Liga MX do ta monitorojë shëndetin e lojtarëve të Santosit, si dhe të futbollistëve të tjerë të Liga MX dhe Liga MX Femenil, gjithmonë duke i pasur parasysh rekomandimet e autoriteteve shëndetësore”.
Liga MX ka qenë e suspenduar që nga 15 marsi shkaku i coronavirusit, ndërsa deri në kompletim të sezonit 2019/20 kanë mbetur edhe 10 xhiro. Liga po tenton ta gjejë një mënyrë për t’u kthyer në fushën e lojës në fund të korrikut.