Në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), po trajtohen tetë persona me gripin sezonal.
Kurse prej tre prej tyre janë në gjendje të rëndë dhe po trajtohen në Intensivë, raporton Ekonomia Online.
Valbon Krasniqi, infektolog në Infektivë, në një prononcim për Ekonomia Online ka konfirmuar se pesë persona e tjerë të prekur nga gripi sezonal janë duke u trajtuar në këtë klinikë dhe gjendja e tyre momentale është stabile.
“Nga këta që i kemi të shtrirë në klinikë aktualisht i kemi 8 të konfirmuar që janë prekur nga influenca A, 3 prej tyre janë me gjendje më të rëndë shëndetësore dhe janë duke u trajtuar në kujdesin intensivë, ndërkaq 5 të tjerë janë duke u trajtuar nëpër reparte dhe gjendja e tyre momentale është stabile”.
Megjithatë Krasniqi thotë se gjendja është e pritshme për shkak të sezonit të dimrit. Ai ka treguar se kanë qenë 28 persona të prekur nga gripi, kryesisht moshat e shtyra.
“Gjendja është stabile është e pritshme për këtë sezon, ne edhe ashtu kemi pritur që në fund të muajit janar por edhe gjatë muajit shkurt të kemi pak më të madh të të rasteve, çka edhe kemi vërejtur gjatë kësaj javës së fundit. Që nga fillimi i sezonës ose nga muaji dhjetorë janë paraqitur rastet e para me grip sezonal, e deri sot që po flasim ne kemi pasur gjithsej 24 raste të konfirmuara me influencën A”.
“Prej tyre 21 kanë qenë të shtrirë në klinikën infektive janë trajtuar, ndërkaq 3 të tjerë në forma ambulatore s’kanë pasur nevojë të shtrihen në spital. Mosha të cilën po dominon tani për tani është mosha rreth 40 deri, 50, 60 vjet që janë të prekur nga ky virus megjithatë gripi nuk e kursen asnjë moshë”.
Infektologu Krasniqi tregon që dy personat të cilët kanë vdekur kanë pasur edhe probleme të tjera shëndetësore kronike.
Ai ka shtuar se nuk kanë informacione nëse kanë qenë të vaksinuar kundër gripit sezonal, raporton EO.
“Fatkeqësisht kemi pasur edhe 2 raste të vdekjes një gjatë muajit dhjetorë dhe një javën e kaluar, personi që ka vdekur gjatë muajit dhjetorë është i moshës së shtyrë rreth 80 vjeçare por që ka pasur probleme shëndetësore tjera me mushkri me zemër me veshka, poashtu edhe personi i dytë që ka ndërruar jetë muajin e kaluar përveç gripit ka pasur edhe probleme paraprake të mushkërive”.
Duhet ripërsëritë se grup moshat më të rrezikuara janë moshat e shtyera, mbi moshën 65 vjeçare, pastaj moshat që kanë sëmundje kronike sidomos të mushkërive, me asmë sëmundje të tjera të natyrës obstruktive, sëmundjet nga zemra të sëmurët kronik me veshka, të sëmurët me kancer, poashtu edhe gratë shtatzëna dhe lehonat paraqesin edhe një kategori tjetër që do të duhej të kishin një kujdes të shtuar. Këta persona që janë të sëmurë nuk kemi të dhëna nëse kanë qenë të vaksinuar”.