Tetë raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë. Dy raste kanë ndodhur në Prishtinë, ku Policia i ka arrestuar dy persona. Njëri shtetas i Shqipërisë dyshohet se e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, e i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndërsa, një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga djali i saj. Ai është arrestuar dhe dërguar në mbajtje
Në Ferizaj, një grua është sulmuar nga bashkëshorti i saj. Palët janë intervistuar dhe më pas i dyshuari është dërguar në mbajtje. Rasti është iniciuar si “lëndim i lehtë trupor dhe dhunë në familje”.
Policia e Kosovës e ka arrestuar një person në Malishevë pasi dyshohet se i ka shkaktuar lëndime trupore bashkëshortes së tij. Autoritetet thanë se ai vuan nga sëmundje mendore, derisa viktima s’ka pranuar të marrë trajtim mjekësor. Një i dyshuar tjetër është arrestuar në Malishevë, me dyshimin se ka sulmuar bashkëshorten dhe vajzën e tij. Viktimat kanë pranuar trajtim mjekësor.
Policia e Kosovës e ka arrestuar një person në Gjakovë, me dyshimin se e ka sulmuar fizikisht të dashurën e tij pas një mosmarrëveshjeje.
Viktima s’ka pranuar trajtim mjekësor, e i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në Vushtrri Policia njoftoi se kanë raportuar dy raste të dhunës në familje.
Gruaja është ankuar se është sulmuar nga bashkëshorti dhe vjehrri i saj. Ajo ka pranuar trajtim mjekësor, e të dyshuarit janë arrestuar. Shtëpia e të dyshuarve është bastisur dhe janë gjetur 11 fishekë. Me vendim të prokurorit, Policia e ka liruar njërin prej të dyshuarve.
Ndërsa, pas një mosmarrëveshjeje verbale me bashkëshortin, një grua është larguar te shtëpia e prindërve të saj.
Palët janë intervistuar.