Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i cili përmes platformës “Vota Ime” përcjellë në vazhdimësi punimet e kuvendit njofton se gjatë periudhës janar – mars të këtij viti nga tetë seanca sa ka mbajtur Kuvendi, të gjitha janë shtyrë për mungesë kuorumi. Këto seanca janë përcjellë me vazhdime madje deri në katër herë.
Shtyrja e seancave për mungesë korumi është paradox në vete ndonëse në listat e pjesëmarrjes janë nënshkruar 90% e deputetëve, një numër i konsiderueshëm i tyre nuk kanë qëndruar në sallë deri në përfundim të seancës.
“Për rrjedhojë votimi i pikave të rendit të ditës në ditën kur është paraparë ka qenë i pamundur për shkak të mosprezencës së deputetëve”.
“Dështimi i shpeshtë i seancave të Kuvendit e ka lënë prapa atë sa i përket miratimit të ligjeve, për më tepër ka ndikuar edhe në prolongimin e shumë çështje të parapara për shqyrtim dhe stërngarkimin e seancave me shumë pika të rendit të ditës”, thuhet në njoftimin e KDI-së.
Sipas KDI-së ky komoditet i deputetëve për të mos qëndruar deri në përfundim të seancave, vie për shkak të mungesës së sanksionimit të këtyre veprimeve me anë të Rregullores së punës së Kuvendit.
“Rregullorja parasheh dënime për deputetët vetëm në rast të mungesës në Kuvend për më shumë se gjashtë muaj, por nuk specifikon ndëshkime tjera për numrin e madh të mungesave. Përderisa Rregullorja e Re e Punës së Kuvendit është në procedurë të shqyrtimit, deputetët duhet që të adresojnë dhe rregullojnë këtë çështje”, thuhet më tej në njoftim.