Lauren Pazienza u dënua me 8 vjet e gjysmë burg, pasi shtyu për vdekje trajneren vokale 87-vjeçare, Barbara Gustern, vitin e kaluar, sipas mediave.
Më 23 gusht, 27-vjeçja u deklarua fajtore ndaj akuzës për vrasje të shkallës së parë dhe ra dakord për një dënim me tetë vjet burgim, të ndjekur nga pesë vjet lirim të mbikëqyrur.
Gjatë seancës dëgjimore të së premtes, planifikuesja e eventeve ndryshoi rrëfimin e saj për incidentin ndërsa po merrej në pyetje nga Ndihmës Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Justin McNabney.
Për pasojë, gjykatësja Felicia Mennin i shtoi dënimit të saj edhe gjashtë muaj të tjerë, duke përmendur paaftësinë e Pazienzas për të marrë përgjegjësinë për veprimet e saj, raporton New York Post, transmeton Klankosova.tv.
Pazienza foli shkurt, duke kërkuar falje fillimisht përpara se avokati i saj, Arthur Aidala, ta shtynte të thoshte më shumë.
“Unë kurrë nuk duhet të kisha shtyrë askënd dhe më vjen shumë keq, do të doja ta ktheja pas, por Zoti nuk e kthen kohën pas. Më vjen shumë keq”, tha Pazienza.
Marsin e kaluar, Pazienza dhe i fejuari i saj ishin duke vizituar galeritë e artit në Chelsea dhe pasi pinë disa gota verë u drejtuan për në Chelsea Park. Pasi një punonjëse e parkut i tha çiftit se parku po mbyllej, e Pazienza shau, bërtiti, ia hodhi ushqimin të fejuarit dhe u largua nga parku.
Më pas ajo hasi në rrugë Barbara Gustern. Prokurorët thanë se Gustern thjesht po ecte nëpër trotuar marsin e kaluar kur Pazienza e quajti atë “k****” dhe e shtyu qëllimisht tetëdhjetë e shtatë vjeçaren, raportoi më parë PEOPLE.
Megjithatë, të premten, Pazienza mohoi ta kishte thirrur Gustern me ato fjalë.
Gustern u rrëzua pasi u shty dhe pësoi lëndime të shumta, dhe hyri në koma dhe vdiq pesë ditë më vonë.
Gustern ishte një anëtare e njohur e komunitetit artistik në Nju Jork, sipas The New York Times.