Eksporti i produkteve vendore në tregun evropian për muajin tetor të këtij viti ka pësuar rënie prej 15.6 për qind. Kosova ka eksportuar mallra në vlerë prej 32.3 milionë eurosh. Për dallim nga eksporti, gjatë muajit tetor ka pasur rritje të importit për 2 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë kohore të vitit paraprak.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në raportin e të dhënave për Tregtinë e Jashtme të Mallrave në Kosovë deficiti tregtar ka shënuar rritje prej 4.5 për qind në muajin tetor të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, shkruan sot “Koha Ditore”.
Nga 270, 5 milionë sa ishte në vitin 2018, në tetor të vitit 2019 deficiti arriti vlerën prej 282.7 milionë eurosh. Sipas ASK-së, eksporti mbulon importin me 10.3 për qind.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave për Tregtinë e Jashtme tregojnë se Kosova ka ndryshuar edhe partnerët tregtarë në fund të vitit 2019, kur ka hyrë në fuqi vendimi për taksën prej 100 për qind për mallrat me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.