Për më shumë se 20 vite në qytetin e Tetovës, shteti nuk ka ndërtuar banesa sociale, edhe përkundër faktit se ka mbi 150 kërkesa për banesa sociale. Rreth 30 familje në Lagjen e Krasniqëve në Tetovë, në mungesë të kushteve jetojnë si në geto. Banorët ankohen se çmimet e banesave me qira po rritën gjithnjë e më shumë dhe janë bërë të papërballueshme. Ata kërkojnë nga shteti dhe komuna, masa urgjente për ndërtimin e banesave sociale.
“Shumë persona jetojnë në varfëri të skajshme, ja këtu e kam një komshi paguan 150 euro qiranë për ushqim nuk iu mbetet asgjë. Shumë banesa ka të zbrazëta të kurbetçinjve por ato nuk shfrytëzohen. Duhen banesa sociale me patjetër duhet të kemi. Unë marr 17 000 denarë pension por jam vetë i dyti dhe vetëm për zonjën harxhoj 80 euro në muaj vetëm për barna”, u shpreh një banor.
“Duhen si s’duhen patjetër që po”.
“Ka njësoj si s’ka, plot nevojë kemi. Duhet me bë banesa për rastet sociale. Unë jam në katund, por ka nevojë se krejt jemi për banesa sociale, mos them shumë po krejt janë”.
Nga Ministria e Transportit, fajin për mungesën e banesave sociale në Tetovë e hedhin tek komuna, e cila sipas tyre, nuk ka ndarë hapësirë për ndërtimin e banesave sociale.
“Nevojat e qytetarëve të një komune, i ka komuna këshilli dhe kreu i komunës dhe nisma gjithnjë duhet të dalë nga atje. Nëse ndonjë komunë do ta ndihmojmë, duhet të kërkojë të japë idetë dhe projektet e saj që ne t’i dalim në ndihmë pa marrë parasysh cila komunë është”. – thonë nga ministria e Transportit dhe Lidhjeve.