Texasi e bën të detyrueshme mbajtjen e maskave mbrojtëse

Prishtinë | 03 Kor 2020 | 09:01 | Nga Ekonomia Online

Guvernatori i Texasit në Shtetet e Bashkuara, Greg Abbott, ka urdhëruar të gjithë qytetarët t’i mbajnë maskat mbrojtëse në publik, pasi ditët e fundit pati shtim rastesh të të sëmurëve me koronavirus.

Në Texas veç të mërkurën janë konfirmuar më shumë se 8.000 të prekur me COVID-19.

“Mbajtja e maskës në fytyrë do të na ndihmojë të mbajmë Texasin të hapur për biznes”, tha Abbott, pasi njoftoi për vendimin obligativ, raporton AP.

Sipas tij, qytetarët që refuzojnë të vendosin maskën do të përballen me gjobë deri në 250 dollarë.

“Më lejoni të jem i qartë, askush nuk mund të burgoset për shkeljen e kësaj praktike”, shtoi guvernatori.

Ai paralajmëroi se disa njësi të kujdesit intensiv ishin pothuajse të mbushura me pacientë.

Në këtë vendim, nuk janë të përfshirë fëmijët që janë 10 vjeçar ose më të rinj, ata që janë me gjendje shëndetësore më të rëndë dhe mbajtja e maskës u pengon, personat që janë duke ngrënë ose pirë dhe ata që bëjnë aktivitete fizike në ambient të hapur.

SHBA-ja është goditur më së keqi nga pandemia e koronavirusit.

Deri tash ka pasur 2.7 milionë raste të të sëmurëve në shkallë vendi dhe më shumë se 128,000 vdekje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme