Tezat e theksuara në librin “Kosova” në tetë vëllime të barten në tekste shkollore dhe studime tjera historike

Prishtinë | 05 Tet 2018 | 18:05 | Nga Ekonomia Online

Panairi Vjeshtor i Librit AAB 2018, përveç tjerash ka për qëllim edhe promovimin e librave më të mirë nga fushat dhe autorët e ndryshëm.

Ndaj në kuadër të këtij aktiviteti, sot u promovua libri “KOSOVA”, në tetë vëllime i historianit Jusuf Buxhovi. Pas pesë vëllimeve të para që përfshijnë Antikën, Mesjetën, periudhën e Perandorisë Osmane, periudhën e viteve 1912-1945 dhe atë 1945-1999, vijnë tre vëllime të reja që për për herë të parë promovohen në mjediset tona universitare, që përfshijnë (në librin e gjashtë) ngjarjet e ndodhura në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni gjatë viteve 1999-2001 dhe në librin e shtatë vështrohen të gjitha ngjarjet më kryesore në Kosovë dhe për Kosovën në periudhën 2002-2008.

Në vëllimin e tetë janë përfshirë dokumentet më të rëndësishme historike që kanë të bëjnë me shqiptarët në përgjithësi, siç janë Vendimet e Shën Stefanit, Protokollet e Kongresit të Berlinit (1878), si dhe ato të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të cilat kanë qenë përcaktuese të fatit të shqiptarëve në përgjithësi. Këto tetë vëllime i kanë mbi 5 mijë faqe, projekt i përbashkët i Shtëpisë Botuese “Jalifat Publishing”, dhe Shtëpisë Botuese “Faik Konica”.

Me rastin e promovimit të këtij projekti, rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, tha se historiani Jusuf Buxhovi, është i veçantë si rezultat i opusit të tij të shumëllojshëm të krijimtarisë së tij intelektuale.

“Emri i Jusuf Buxhovit është shumë i njohur dhe shumë i pranishëm, në kulturën shqiptare është i veҁantë për arsye të opusit të tij të gjerë dhe ajo që është më e rëndësishme për arsye të opusit të tij të shumëllojshëm të krijimtarisë së tij intelektuale”, tha rektori Tafa.

Në promovimin e librit “Kosova” në tetë vëllime foli edhe shkrimtari Nazmi Rrahmani, redaktor dhe botues i këtij projekti, i cili tha se autori duke kaluar nëpër periudha përkatëse kombëtare dhe duke analizuar të gjitha ngjarjet jep një pasqyrë të qartë për shumë momente të rëndësishme historike.

“Pas përfundimit të luftës në Kosovë më 1999 dhe pas hyrjes së NATOS, çështja e shqiptarëve në Ballkan, megjithatë, nuk kishte perspektivë të një zgjidhjeje përfundimtare, sepse trojet shqiptare ishin të copëtuara nëpër shtete të ndryshme të cilat kishin edhe qëndrime tepër të ndryshme lidhur me pozitën e tyre. Autori niset nga fakti historik se Rezoluta 1244 anuloi dy gjendje: Republikën e Kosovës të shpallur në Kaçanik si dhe pushtimin policor ushtarak serb. Mirëpo ky zhvillim nuk mundi të anashkalojë proceset historike nëpër të cilat ka kaluar Kosova që nga okupimi serb më 1912 i përcjellë nga dy ripushtime: ai i vitit 1918 dhe 1944, e as realitetet shoqërore politike që i kanë përcjellë shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera që kishin mbetur nën Jugosllavinë e dikurshme e mandej nën shtetet që kishin shpallur pavarësinë: si Serbia e Maqedonia”, tha Rrahmani.

Po ashtu Rrahmani, u ndal me nga një analizë të thuktë, për çdo vëllim. Ramadan Musliu, redaktor dhe recensent i librit, tha se është detyrë dhe obligim parësorë i të gjitha institucioneve relevante që tezat e theksuara nga z. Buxhovi të barten në tekste shkollore dhe studime tjera historike.

Poashtu është edhe nevojë dhe duhet që çdo familje këtë libër ta ketë në vitrinën e tyre. Ndërsa autori Buxhovi i cili tha se puna e madhe në vëllimet e reja të librit “Kosova” e ka shtyrë atë që të mos ndalet edhe në botimin e titujve të rinj, dhe se ndjehet i nderuar që gjendet në mesin e studentëve të Kolegjit AAB , ngaqë akademikët e rinj duhet të marrin përgjegjësinë për proceset shoqërore nëpër të cilat po kalohet. Libri “Kosova” në tetë vëllime paraqet certifikatën historike të shtetit të Kosovës, ku Dardania si lidhje e antikitetit me proceset shoqërore, shpirtërore dhe politike, përcakton rolin e saj dominues në historinë politike shqiptare.

Buxhovi theksoi se është dashur të ballafaqohet me stereotipe ideologjike dhe ato të klisheve serbomëdha që për fat të keq po e rëndojnë sot e gjithë kohën historiografinë shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë.

Në fund, Buxhovi theksoi se e mirëpret edhe projektin e Institutit të Historisë së Kohës si një libër konkurrent, ndaj të cilit është mosbesues ngaqë historitë e shkruara kolektive përherë kanë qenë ideologjike dhe në shërbim të “fitimtarëve”. Autori Buxhovi, për studentët pati një porosi, për të cilët tha se janë gjenerata e re që duhet të marrë përgjegjësi për fatin e vendit dhe për shtetndërtimin e tij.

Të gjithë të interesuarit, librin “Kosova” vëllimet VI, VII dhe VIII, do kenë mundësi ta gjejnë në Panairin Vjeshtor AAB 2018 deri ditën e dielën, me 50% zbritje nga çmimi i zakonshëm.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme