Tha se në Kubë s’ka lypsarë, detyrohet të japë dorëheqje ministrja e Punës

Prishtinë | 16 Kor 2025 | 14:16 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Punës e Kubës, Marta Elena Feito Cabrera, është detyruar që të japë doërheqje, pasi bëri komente që e mohonin ekzistencën e lypsarëve në shtetin ishull me qeverisje komuniste.

Ministrja kishte thënë se nuk ekzistojnë ata që quhen “lypsarë” në Kubë dhe se njerëzit që kërkojnë gjëra në mbeturina e bëjnë këtë, në thelb, si zgjedhje për “para të lehta”, raporton televizioni BBC.

Komentet e saj, të bëra në një seancë parlamentare, u kritikuan gjerësisht nga kubanët brenda e jashtë vendit dhe e nxiti reagimin e presidentit Miguel Diaz-Canel. Ministrja dha dorëheqje pak kohë më pas.

Niveli i varfërisë dhe mungesa e ushqimit janë përkeqësuar në Kubë, shtet që po vazhdon të ballafaqohet me krizë të rëndë ekonomike.

Edhe kritikat publike që u nxitën nga komentet e ministres, edhe reagimi publik që ministrja e mori janë të pazakonshme në Kubë, ku protestat antiqeveritare janë të ndaluara me ligj dhe pakënaqësia e shprehur haptas mund t’i çojë në burg kritikuesit.

Feito Cabrera i bëri komentet më herët këtë javë në një seancë të Asamblesë Kombëtare. “Nuk ka lypsarë në Kubë. Ka njerëz që pretendojnë se janë lypsarë për të bërë para të lehta” – tha ajo.

Më tutje, ajo i akuzoi njerëzit që kërkojnë gjëra në mbeturina se janë “pjesëmarrës të paligjshëm në shërbimin riciklues”.

Ministrja qartazi i llogariti gabimisht zemërimin që komentet e saj do ta shkaktonin dhe nivelin në të cilin ato e paraqitën udhëheqjen e vendit si pa ndjenja, autoritare dhe thellësisht të shkëputur nga vështirësitë e mëdha ekonomike të kubanëve të rëndomtë.

Presidenti Diaz-Canel e kritikoi zonjën Feito Cabrera në seancën parlamentare, edhe pse pa ia përmendur emrin, duke thënë se udhëheqja e vendit “nuk mund të veprojë me përbuzje” ose të jetë “e shkëputur nga realitetet” e njerëzve./Nacionale

Të ngjashme