Nën patronatin e kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj, u mbajt akademi përkujtimore për dëshmorin Abaz Thaçi, në kuadër të Ditëve të Shqipes 2019, raporton Ekonomia Online.
Ani pse kjo ishte e organizuar nën patronatin e kryeministrit, ai nuk ishte prezent në këtë akademi, por këtë akademi e nderoi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Ai tha se dëshmori Abaz Thaçi ishte një prej ushtarakëve më aktiv, por edhe më të aftë që përgatiste të rinjtë për luftë e logjistikë.
“Edhe familja e Abazit ishte një familje atdhetare që kultivoi gjithmonë edukimin e luftës për liri dhe pavarësi dhe për shkak të angazhimeve kombëtare ishte ndëshkuar dhe torturuar shpesh herë nga policia serbe. Babai dhe familjarët e tjerë të Abazit ishin të përndjekur dhe maltretuar, prandaj etja e Abazit për dituri ishte e madhe dhe ai u përcaktuar për një shkollim profesional për ushtarak. Ishte prej ushtarakëve më aktiv, por edhe më të aftë. Kur shpërthyen luftërat në Ish-Jogusllavi, Abazi, bashkë me shokët e tij këshilluan të tjerët që të largohen nga luftërat tjera që nuk kishin arsye të qëndrojnë”, tha Thaçi.
“…Kudo që ishte Abazi përsëri malli për atdheun, Drenicën e tij të dashur bëri që ta braktiste atdheut dhe t’i bashkëngjitej luftës për çlirimin e Kosovës. Abazi gjatë tërë luftës përgatiste të rinjtë për luftë dhe logjistikë. Abazi ishte shëmbëlltyra e bashkimit të gjithë njerëzve që luftonin kundër Serbisë”.
Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, tha se suksesi i betejës së Koshares është i lidhur ngushtë me angazhimin e heroit, Abaz Thaçit, duke shtuar se politika e vetme e betejës së Koshares ishte lufta dhe kauza për çlirimin e Kosovës.
“Kryeministri ka treguar angazhimin institucional për bartësit e vlerave. Marrja pa hezitim nën patronatin e tij të akademive na obligon të shprehim respektin më të lartë që ai po bën për vlerat e luftës. Kam pasë fatin që Abaz Thaçin ta njoh personalisht nga Kroacia, ai ishte ushtarak me profesion dhe vinte nga një familje patriotike e luftarake. Suksesi i betejës së Koshares është i lidhur ngushtë me angazhimin e heroit që sot po e përkujtojmë. Kosharja ishte simbol i bashkimit dhe politika e vetme e kësaj brigade ishte lufta dhe kauza për çlirimin e Kosovës”, tha Berisha, raporton EO.
Abaz Thaçi duke qenë ushtarak i shkolluar dha kontribut të madh në aspektin strategjik dhe taktik në Betejën e Koshares. U dallua për vetëmohim dhe trimëri. Ra heroikisht më 16 maj 1999 në Koshare.