Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në ceremoninë solemne të shënimit të përvjetorit të 26-të të bashkimit të Gjermanisë, e cila u organizua nga ambasada gjermane në Kosovë.
Para shumë përfaqësuesve diplomatikë dhe të institucioneve të Kosovës, presidenti Thaçi tha se kjo festë nuk është vetëm e popullit gjerman, por edhe e Evropës dhe të gjithë popujve që e duan lirinë.
“Bashkimi i dy Gjermanive ishte festë për popujt e Evropës Lindore, sepse ishte sinjali më bindës se koha e sistemit një-partiak, koha e ndalimit të mendimit ndryshe, kishte marrë fund. Ishte sinjal se epoka e lirisë, demokracisë dhe barazisë po fillonte edhe për Evropën Lindore”, ka thënë presidenti Thaçi.
Sipas tij, kështu u përjetua kjo ditë edhe ndër popujt e Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën.
“Bashkimi i Gjermanisë u shndërrua në shpresë për liri dhe demokraci. U bë frymëzim për shumë lëvizje kundër komunizmit dhe monizmit në Ballkan”, shtoi ai.
Gjithashtu, presidenti Thaçi ka folur edhe për mbështetjen që populli dhe shteti gjerman i kanë dhënë Kosovës në periudha të ndryshme. Ai ka thënë se vlerat e shoqërisë gjermane, kosovarët i kanë njohur qysh në vitet e 60-ta, me valën e gastarbajterëve të parë.
“Sot nga kjo valë ka mbetur diaspora më e madhe e Kosovës, urë e rëndësishme që lidhë Kosovën me Gjermaninë, por edhe një nga ushqyesit kryesorë të Kosovës. Përkrahja për Kosovën vazhdoi edhe në vitet e 90-ta kur Gjermania hapi dyert për qindra mija kosovarë, të përndjekur nga regjimi i Millosheviqit”, ka thënë ai.
Thaçi ka thënë se Gjermania, pas luftës, ishte një nga përkrahëset kryesore të përpjekjeve për paqe dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit.
“Duke shfrytëzuar përvojën historike të pajtimit francezo-gjerman, diplomacia gjermane dhe personalisht kancelarja Merkel janë mbështetës të palëkundur të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka vlerësuar presidenti Thaçi.
Ai ka thënë se populli i Kosovës do t’i jetë përherë mirënjohës shtetit dhe popullit mik të Gjermanisë.
“Në ditët e rëndësishme si kjo sot, urojmë që të thellojmë bashkëpunimin dhe miqësinë mes nesh”, ka përfunduar presidenti Thaçi.