Institucionet e Kosovës nuk duhet të kenë poste për njerëz nën hetime. Kështu tha presidenti Hashim Thaçi gjatë konferencës “Lansimi i programit të Fondacionit Westminister për Demokraci në Kosovë”.
“Njerëzit nën hetime, të mos lejohen jo vetëm të marrin poste publike, por as të përfshihen në listat zgjedhore”
Edhe pse Lëvizja Vetëvendosje dhe NISMA për Kosovën nuk qëndruan gjatë fjalimit të presidentit të vendit, Hashim Thaçi, ky i fundit vazhdoi duke thënë se partitë politike në Kosovë kanë një bashkëpunim, pasi sipas tij, vendin po e presin vendime të mëdha siç janë: çështja e Demarkacionit, transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri dhe ajo e Asociacionit.
“Për dallim nga e kaluara, sot kemi nevojë për përkrahje për projektin e fuqizimit të demokracisë. Betejat politike të mos jenë beteja për personalitete. Unë si president kam promovuar idenë e dekriminalizimit të ideve të partive politike. Kam iniciuar idenë që të ketë kod të mirësjelljes ndërmjet partive politike”, ka thënë Thaçi.
“Partitë politike, sidomos gjeneratat e reja të politikanëve, sigurisht që do të përfitojnë nga këto projekte. Vetëm duke ballafaquar idetë tona do të gjejmë rrugën e Kosovës. FSK-ja, demarkacioni, asociacioni janë vetëm disa nga detyrat që duhet t’i kryejmë. Këto janë momente kur partitë politike duhet të tregojnë pjekuri dhe bashkëpunim”, ka thënë Thaçi gjatë konferencës “Lansimi i programit të Fondacionit Westminister për Demokraci në Kosovë”.
Pjesë e kësaj konference ishte edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Conell, dhe përfaqësues të partive politike dhe të shoqërisë civile.