Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka qenë shumë i ashpër ndaj qytetarëve që kanë protestuar sot nëpër qytete të Kosovës duke pamundësuar mbajtjen e një tubimi të një partie serbe.
I pari i vendit ka thënë se nga logjika e bllokimeve më së shumti përfitojnë ata që nuk ia duan të mirën Kosovës.
Thaçi ka kërkuar nga institucionet shtetërore që të garantojnë lëvizjen e lire të çdo qytetari.
Ky është postimi i plotë i Thaçi në Facebook:
Bllokimi i rrugëve brenda në Kosovë është bllokim i rrugëve të Kosovës në botë.
Kjo qasje është tërësisht e papranueshme, sepse liria e lëvizjes, liria e tubimit, liria e mendimit politik dhe liria e shprehjes janë të garantuara me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës. Këto vlejnë për çdo qytetar të Kosovës dhe askush nuk do të lejohet që t’i cenojë këto të drejta, pa marrë parasysh dallimet në bindje e qëndrime.
Nga logjika e bllokimit të rrugëve, sikurse ndodhi sot në disa qytete të Kosovës, më së shumti përfitojnë ata që nuk ia duan të mirën shtetit tonë.
Institucionet shtetërore duhet ta garantojnë mbrojtjen e këtyre lirive për secilin qytetar.