Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekoruar drejtorin e USAID-it, James Hope, me medaljen presidenciale të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, me rastin e përfundimit të mandatit të tij 4-vjeçar në Kosovë.
Thaci ka vlerësuar lart kontributin e USAID-it dhe të James Hope-it në fazën e shtetndërtimit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ai ka deklaruar se pa këtë mbështetje Kosova nuk do të kishte arritur sukseset që, sipas tij, i ka sot në ekonomi, arsim, shëndetësi e fusha të tjera.
“Nuk ka qytetarë që nuk e njeh USAID-in, sepse të gjithë kanë marrë mbështetje në një formë apo tjetër. Populli amerikan përmes USAID-it ka ndihmuar popullin e Kosovës në ditët më të vështira. USAID-i ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në fazën e shtetndërtimit. Pa ndihmën e USAID-it, Kosova s’do të kishte sukseset që ka sot në arsim, shëndetësi, ekonomi”.
“Sot jam i lumtur që jam këtu. James Hope i cili po e lë Kosovën pas një pune të suksesshme në katër vitet e fundit. Në këto katër vite falë përkushtimit të tij, Kosova ka arritur sukses në të gjitha fushat, andaj për angazhimin e tij në forcimin e institucioneve demokratike dhe fushave tjera kam vendosur të ndajë medaljen jubilare të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës”.
Drejtori i USAID-it, James Hope, ka thënë se është nder i madh që pranoi këtë medalje. Ai vlerësoi se Kosova ka bërë progres të madh, derisa tha se eksperiencën e tij në vendin tonë nuk do ta harrojë kurrë.
“Është nder i madh të pranojë këtë medalje. Nuk do të harrojë kurrë këtë eksperiencë në Kosovë. Është bërë shumë progres. Mbështetja për Kosovën do të vazhdojë edhe në të ardhmen”.
I pranishëm ka qenë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, raporton EO.
Mediet nuk janë lejuar të bëjnë pyetje në këtë takim.