Presidenti, Hashim Thaçi, në një konferencë për media tha se me presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviq, kanë dalë me një Deklaratë për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Përmes kësaj deklarate dy presidentët u kanë bërë thirrje deputetëve që ta votojnë marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet dy vendeve në gushtin e vitit 2015.
“Duke respektuar angazhimet që kemi si president i vendit por edhe me domosdoshmërinë e kryerjes së obligimeve kushtetuese dhe ligjore për ndërtimin e fqinjësisë së mirë por edhe përshpejtimin në rrugëtim të sigurt të perspektivës evropiane për Kosovën. Duke respektuar strategjinë e Komisionit Evropian por edhe duke respektuar vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe vizionin për institucionet vendit, për të ardhmen euroatlantike dhe implementimin e të gjitha marrëveshjeve që Kosova ka nënshkruar qoftë me fqinjët dhe obligimet që ka marrë karshi bashkësisë ndërkombëtare dhe duke marrë parasysh edhe domosdoshmërinë e implementimit të të gjitha kritereve demokratike për të ardhmen evropiane apo reformat qoftë në ekonomi, legjislacion, politikë, kriteret e Kopenhagenit”.
“Në këtë dhjetëvjetor të Pavarësisë, Kosova po shënon progres të rëndësishëm që po përshëndetet nga të gjithë, qoftë në rrafshin e konsolidimit të brendshëm apo fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të saj, Kosova ka marrë obligime që ka nënshkruar, qoftë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe edhe nënshkrimin e marrëveshjes për Demarkacionin mes shtetit të Kosovës dhe Malit të Zi. Në domosdoshmërinë e lëvizjes sa më të shpejtë, më produktive dhe konkrete të perspektivës evropiane, me qëllim të fuqizimit të fqinjësisë së mirë për raportet e Kosovës me të gjitha vendet e rajonit dhe me Malin e Zi, por edhe domosdoshmërinë për ratifikimin në Kuvendin e Kosovës”.
“Duke vlerësuar edhe momentin e mirë të autoriteteve të shtetit të Malit të Zi dhe vullnetin e lidershipit kosovar, dua të shpalos para jush se në 48 orët e fundit dhe përpjekjet e pandërprera tonat edhe miqve ndërkombëtar, tash e dy vjet e gjysmë unë si president i Kosovës dhe presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq nxorrëm një deklaratë të përbashkët që inkurajojmë Kuvendin e Kosovës që të ratifikojë marrëveshjen mbi kufirin shtetëror që është nënshkruar në Vjenë, më 26 gusht 2015”.
“Kjo deklaratë e përbashkët e dy presidentëve u bën thirrje organeve kompetente edhe në Kosovë edhe në Mal të Zi që të përmbyllet ratifikimi. Do të kemi trupë të përbashkët për shënjimin e vijës kufitare, ky grup punues nëse paraqitet nevoja do të shqyrtojë të gjitha mundësitë për përkushtimet e përbashkëta”.
Thaçi ka treguar se gjatë ditës do të takohet me liderët e partive politike për të biseduar rreth asaj se kur do ta procedojnë Demarkacionin në Kuvend. Ai tha se lidhur me këtë deklaratë është i njoftuar edhe kryeministri, Ramush Haradinaj.
“Po, kryeministri është i njoftuar me këtë deklaratë, e ka lexuar dhe e ka pranuar atë. Kjo çështje duhet të kryhet brenda ditësh”, tha Thaçi.