Ndonëse ishin të pranishëm në të njëjtën konferencë dhe ndanin të njëjtën tavolinë, presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk janë përshëndetur mes vete, raporton Ekonomia Online.
Thaçi dhe Kurti nuk i kanë zgjatur dorën njëri tjetrit, por me ardhjen e tyre për tu bërë pjesë e këtij paneli, ata kanë kthyer kokën duke përshëndetur të pranishmit tjerë, por jo me njëri tjetrin.
Konferenca e mbajtur nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) ka bashkuar lider politik, deputet e përfaqësues ndërkombëtarë për të diskutuar rreth temës “Zëri i popullit rreth “Finales së madh” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Pjesë e panelit, ishin presidenti i vendit, Hashim Thaçi, bashkëkryesuesi i dialogut, Fatmir Limaj, kreu i VV-së, Albin Kurti, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri dhe ambasadori norvegjez në Kosovë, Per Jan Stand, raporton EO.
Mospajtimet e tyre politike, të dy liderët i kanë shfaqur edhe përmes kësaj konference, ku madje qysh në fillim e kanë injoruar njëri-tjetrin duke mos u përshëndetur.
Përmes kësaj konference, presidenti Hashim Thaçi ka treguar edhe njëherë qëndrimin e tij rreth dialogut madje ka thënë se do ta sensibilizojë opinionin e brendshëm dhe atë të jashtëm, për bashkimin e Luginës me Kosovën.