Thaçi: E mirëpres vendimin e Kushtetueses, tash nuk duhet humbur kohë për formimin e Qeverisë së Re

Prishtinë | 28 Maj 2020 | 23:04 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila i ka dhënë të drejtë atij për dekretimin e Avdullah Hotit për kryeministër.

Thaçi përmes një postimi në Facebook ka thënë se ka qenë i bindur se ka marrë vendim në përputhej me Kushtetutën dhe se partitë politike duhet të kenë respekt e përkushtim për ligjin e rendin si dhe për institucionet e Kosovës.

POSTIMI I PLOTË:

E mirëpres vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit tim për mandatimin e z. Hoti, kandidat për kryeministër. Kam qenë i bindur se çdo hap që kam ndërmarr ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe më vjen mirë që këtë e konfirmoi edhe Gjykata Kushtetuese.

Partitë politike dhe të gjitha institucionet duhet të tregojnë pjekuri politike, respekt dhe përkushtim për rendin, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ato duhet t’i respektojnë, pranojnë dhe zbatojnë vendimet e autoritetit përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve e akteve të tjera me Kushtetutën.

Kosovën e presin shumë sfida përpara, prandaj tash nuk duhet të humbet më kohë për formimin e Qeverisë së re, me legjitimitet të plotë nga Kuvendi i Kosovës. HTH

Të ngjashme