Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Aleksandër Vuçiq deri tani kanë dhënë deklaratë rreth asaj se cila mund të jetë përmbajtja e marrëveshjes ndërmjet të dyja shteteve. Megjithatë të dy presidentët pritet të fillojnë “t’i hapin letrat” gjatë këtij muaji. Thaçi ka thënë se në takimin e 7 shtatorit do ta prezantojë idenë e “korrigjimit të kufijve”, ndërsa Vuçiqi ka paralajmëruar se së shpejti do të dalë me propozim konkret për marrëveshjen me Kosovën, shkruan sot Gazeta “Zëri”
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiq pritet që qysh në takimin e së premtes të fillojnë “t’i hapin letrat” sa u përket propozimeve për përmbajtjen e marrëveshjes finale ndërmjet të dyja vendeve.
Thaçi tashmë ka bërë të ditur se në takimin e 7 shtatorit do ta prezantojë idenë e korrigjimit të kufijve, që sipas tij nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, shkruan më tutje “Zëri”.
Ndërsa Vuçiqi ka paralajmëruar se do të dalë me një propozim konkret për zgjidhjen e “çështjes së Kosovës”.
Subjektet politike opozitare në vend, si dhe analistët politikë thonë se duket sikur deklarimet e Thaçit për “korrigjim të kufijve” janë në koordinim me presidentin serb.
Ata thonë se propozimi i Vuçiqit sigurisht se nuk do të dalë përtej Kushtetutës së Serbisë, prandaj thonë se Kosova duhet të ketë një platformë të qartë për dialogun.