Presidenti Hashim Thaçi ka falënderuar presidentin amerikan Donald Trump për donacionin e 50 respiratorëve për Kosovën në luftën kundër Covid-19.
Thaçi ka shkruar në Twitter se së bashku me ShBA’në Kosova do të dalë më e fortë.
“Mirënjohës ndaj presidentit Donald Trump dhe qeverisë amerikane për donacionin bujar të 50 respiratorëve për Kosovë përveç 1.6 milionë dollarëve të ndihmave të mëhershme në luftën kundër Covid-19. Së bashku dalim më të fortë”, ka shkruar Thaçi.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara përmes një komunikate për media ka njoftuar se Agjencia e ShBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), i ka dhuruar Kosovës 50 respiratorë tërësisht të rinj dhe nga më bashkëkohorët për të ndihmuar në luftën e saj kundër COVID-19.
Në komunikatën e Ambasadës thuhet se ky donacion paraqet realizimin e ofertës zemërgjerë të presidentit Trump në mbështetje të Kosovës.
“Ky donacion paraqet realizimin e ofertës zemërgjerë të Presidentit Trump për furnizim me pajisje të domosdoshme dhe mbështet Kosovën në përgjigjen urgjente ndaj pandemisë. Respiratorët e markës “Vyaire”, të prodhuar në Shtetet e Bashkuara, pasqyrojnë teknologjinë më të fundit për të cilën ka kërkesë të madhe. Ata janë kompaktë dhe do t’i mundësojnë Kosovës fleksibilitet më të lartë në trajtimin e pacientëve të prekur nga virusi. Kjo pajisje vitale mund të dëshmohet si shpëtimtare për pacientët mushkëritë e të cilëve nuk funksionojnë si duhet përkundër marrjes se oksigjenit”, thuhet në komunikatë.