Sipas Thaçit, këto truqe bëhen nga faktorët e brendshëm por edhe të jashtëm, me qëllim nxjerrjen e PDSH-së nga binarët orientues drejt NATO-s dhe BE-së.
“Mendoj se këto truqe i bëjnë shumë faktor të brendshëm dhe të jashtëm që janë jashtëzakonisht të interesuar që të vendosin gurë në binarët ku lëviz lokomotiva e PDSH-së që këtë parti ta nxjerrin prej binarëve. Ne jemi parti e vjetër me përvojë të madhe, nuk biem pre e këtyre provokimeve por vazhdojmë në binarët e vërtetë të integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE, sepse i besojmë kësaj ideje dhe besojmë që Maqedonia është duke lëvizur mirë”, deklaroi Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.
Megjithatë, për kreun e PDSH-së, dënimi i tij me tre vjet e dy muaj burg nuk do të ndikoj në vendimin e partisë së tij për ta përkrahur kandidatin e Qeverisë për president, Stevo Pendarvovki.
“Nuk bën me i luajt fjalët, ne e kemi dhënë fjalën se e mbështesim kandidatin e përbashkët të Qeverisë, por sa i përket dënimit ajo ishte padrejtësi e jo drejtësi. S`kishte lidhje me drejtësinë. Unë do vazhdoj ta kërkoj drejtësinë time në gjitha instancat, edhe ndërkombëtare”, u shpreh Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.
Thaçi këto komente i bëri sot, gjatë mbledhjes së zgjeruar të kryesisë së PDSH-së në të cilën ja diskutuar zhvillimet në vend dhe përgatitjet e kësaj partie për zgjedhjet presidenciale.