Thaçi flet për vizat, Hahn për taksën

Prishtinë | 16 Pri 2019 | 08:22 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë filluar sërish të kërkojnë vazhdimin e procesit të negociatave Kosovë – Serbi dhe pezullimin e tarifës së vendosur ndaj produkteve serbe e atyre boshnjake. Pas një takimi që ka pasur dje me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, Komisionari për Zgjerim nga BE-ja, Johanes Hahn, ka thënë se rinisja e dialogut i kontribuon edhe rajonit, jo vetëm palëve të përfshira në këtë proces, shkruan gazeta “Zëri”.

Ndërkohë, pas përfundimit të takimit me Hahn dhe me presidentin e Këshillit Evropian Donald Tusk, Thaçi nga Brukseli njoftoi se gjatë diskutimit me zyrtarët e lartë të BE-së ka përsëritur faktin se zvarritja e vendimit për heqjen e vizave për Kosovën është e papranueshme dhe e pakuptimtë.

Në anën tjetër, gjatë së hënës për mediet ndërkombëtare Hahn ka folur edhe rreth idesë për shkëmbim të territoreve, me ç’rast ka thënë se një opsion i tillë nuk përjashtohet po qe se palët bien dakord për arritjen e një marrëveshjeje. Lidhur me këtë ka reaguar kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se një deklaratë e tillë, që e lë të hapur mundësinë e bisedimit të kufijve, është vazhdim i politikës së gabuar të evropianëve. Ndaj ai është zotuar se një skenar i tillë nuk do të lejohet që të realizohet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme