Së bashku me shumë presidentë e përfaqësues të rreth 60 shteteve nga e mbarë bota, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në inaugurimin e zgjerimit të Kanalit të Panamasë.
Gjatë kësaj ceremonie, Thaçi ka takuar disa kryetarë shtetesh, si dhe përfaqësues të disa prej shteteve pjesëmarrësve në këtë inaugurim, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
“Ishte një mundësi e mirë e një komunikimi në një vend për t’u takuar me shumë presidentë, ministra të jashtëm, kryeministra të vendeve të ndryshme të botës, por ishte edhe një mundësi gjithashtu jashtëzakonisht e mirë dhe zhvillova bisedë shumë të hapur me mbretin e Spanjës”, ka thënë Thaçi për transmetuesin publik.
“Mendoj se është një frymë optimiste dhe shpresëdhënëse që të lëvizet drejt një akceptimi më të shpejtimi për Republikën e Kosovës edhe prej atyre vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën, por edhe në veçanti të mbështetjes së Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata të ndryshme ndërkombëtare”, ka deklaruar Thaçi, transmeton Gazeta Express.
Pjesëmarrja e Kosovës në një ceremoni të tillë, sipas Thaçit, është një dëshmi se shteti i Kosovës po trajtohet barabartë me të gjitha shtetet e botës.